Aktualitet

Mashtroi 35 biznese, arrestohet në Sarandë/26 vjeçari merrte deri në 600 euro në çdo rast!

Mashtroi 35 biznese e subjekte tregtare në qytete të ndryshme, pranga një 26-vjeçari në Sarandë. Policia bën të ditur se i riu prezantohej si punonjës i IKMT-së, AKU-së, Tatim-Taksave, etj. Nga veprimet e tij, përfitonte shuma që varionin nga 200 deri në 600 euro, për çdo rast. Ai u kap në flagrancë duke marrë 56 mijë lekë nga një shtetas në qytetin bregdetar jugor.

Si rezultat i një hetimi të kryer me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Gjirokastrës, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të një shtetasi i cili mashtronte bizneset dhe subjektet tregtare duke u paraqitur si punonjës i IKMT-së, AKU-së, Tatim-Taksave etj., specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër dhe me Komisariatin e Policisë Sarandë, finalizuan operacionin e koduar “The End”.

Gjatë këtij operacioni, u kap në flagrancë, në qytetin e Sarandës, duke marrë nëpërmjet mashtrimit një shumë prej 56 000 lekë të reja nga një shtetas, dhe u vu në pranga shtetasi L.M., 26 vjeç, banues në Sarandë.

Nga hetimet e kryera është dokumentuar se shtetasi L.M., ka mashtruar, me qëllim përvetësimin e shumave të parave, 35 biznese dhe subjekte tregtare në qytete të ndryshme si në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Himarë, Orikum, Fier, Berat, etj, ku për çdo rast përfitonte shuma nga 200 deri në 600 euro.

Vijon hetimi me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër falënderon drejtuesit e IKMT-së dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe denoncimin e këtij rasti të mashtrimit, që çoi në dokumentimin e të gjitha rasteve dhe arrestimin në flagrancë të këtij shtetasi, si dhe i inkurajon qytetarët të vijojnë të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, me garancinë e një reagimi të shpejtë, të paanshëm dhe në përputhje me ligjin.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.