Auto & Moto

Mbërrin në Evropë “përbindëshi” elektrik amerikan!

Modeli elektrik i markës amerikane Lucid Motors po mbërrin zyrtarisht në Evropë. Air Sapphire arrin një shpejtësi maksimale prej 330 km/h dhe do bëjë debutimin e tij në Gjermani. Sipas njoftimeve edhe çmimi është ekskluziv; 250.000 euro dhe makina mund të porositet online ose në Studio Lucid në Dusseldorf. Sistemi i fuqisë i përbërë nga tre motorë elektrikë.

Rezultati? Nga 0 në 100 km/h në vetëm 2 sekonda, edhe më shpejt se Tesla Model S Plaid. Ka katër mënyra drejtimi; Smooth, Swift, Sapphire dhe Track, me këtë të fundit të ndarë në tre nën-modalitete;Dragstrip, Hot Lap dhe Endurance për t’u përshtatur me çdo lloj piste. Dërgesat e para priten në tremujorin e tretë të këtij viti.

Ndërkaq në një situatë alarmante për industrinë automobilistike, drejtuesit e disa prej kompanive më të mëdha të makinave, përfshirë General Motors, Toyota, Volkswagen dhe Hyundai, kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me mungesën e magneteve të rralla nga Kina. Ato janë thelbësore për prodhimin e komponentëve të tilla si motorët, alternatorët, sensorët dhe sistemet e sigurisë. Kina, e cila kontrollon mbi 90 për qind të kapaciteteve globale për përpunimin e këtyre magneteve, ka vendosur kufizime të reja në eksport, duke kërkuar që kompanitë të marrin leje nga Pekini për të eksportuar këto materiale.

Si pasojë, eksportet e këtyre magneteve nga Kina janë përgjysmuar në muajin prill. Në një letër të datës 9 maj drejtuar administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, grupet tregtare që përfaqësojnë këto kompani kanë paralajmëruar se pa një furnizim të qëndrueshëm me këto materiale, fabrikat e automjeteve mund të detyrohen të ndalin prodhimin për disa javë. Në disa raste, kjo mund të çojë në uljen e vëllimit të prodhimit ose madje në mbylljen e linjave të montimit. Trump ka dhënë dritën e gjelbër për nisjen e bisedimeve me autoritetet kineze për të zgjidhur këtë çështje, por deri tani nuk ka pasur një zgjidhje të dukshme.