Një 36-vjeçar u arrestua në Portin e Durrësit, pasi tentoi të nxjerrë jashtë territorit shqiptar mbi 223 mijë euro, që nuk ishin të deklaruara. Policia njofton se në kuadër të operacionit të koduar “Aseti”, sasia e parave iu gjet në çantën e shpinës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, ku vijojnë hetimet për të përcaktuar burimin e këtyre parave.
Njoftimi:
Port, Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Aseti”. Sekuestrohen 223 200 euro të dyshuara produkt i veprimtarive kriminale. Arrestohet 36-vjeçari, rezident në Itali, që tentoi t’i nxirrte paratë nga Shqipëria, pa i deklaruar në pkk.
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë, me objektiva parandalimin dhe goditjen e krimeve ne kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në bashkëpunim me autoritetet doganore, finalizuan operacionin “Aseti”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi shqiptar, M.D., 36 vjeç, rezident në Itali, sepse iu gjetën në çantën e shpinës, 223 200 euro që tentonte t’i nxirrte nga Shqipëria, pa i deklaruar në pkk.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, ku vijojnë hetimet për të përcaktuar burimin e këtyre parave.