Aktualitet

Mbi 5 mijë objekte e banesa të prekura nga përmbytjet në Durrës!

Pas përmbytjeve që prekën qarkun e Durrësit, banorët e zonave më të dëmtuara apelojnë për masa konkrete parandaluese nga shteti, me qëllim që situata të mos përsëritet më, përtej procesit të dëmshpërblimit. Sipas bilancit paraprak të grupeve të punës në terren, rreth 5 mijë e 200 objekte janë prekur nga përmbytjet, mes tyre 1 mijë e 200 banesa. Grupet e verifikimit po kryejnë akt-konstatimet derë më derë, për të evidentuar dëmet e shkaktuara.

Zona e ish-Kënetës rezulton më e prekura, me numrin më të lartë të banesave që kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Probleme serioze janë konstatuar edhe në Shkozet, Plazh e Spitallë. Ndërkohë, me qindra banesa të përmbytura janë evidentuar edhe në Sukth e Katund të Ri, ku procesi i verifikimit vijon.

Një grup pune realizon mesatarisht 30-40 akt-konstatime në ditë, me synimin që faza e verifikimit të përfundojë sa më shpejt. Kjo fazë pasohet nga një tjetër, ku do të bëhet përllogaritja e dëmeve.

Pjesa më e madhe e personave të evakuuar janë rikthyer në banesat e tyre. Përjashtim bëjnë familjet e strehuara në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme dhe në Shtëpinë e Pushimit të Oficerëve, për të cilat ndiqen procedura të veçanta rikthimi.

Paraprakisht, grupet e punës kryejnë kontrollin teknik të banesave, për të përcaktuar nëse janë të banueshme, përpara se të merret vendimi përfundimtar lidhur me rikthimin e banorëve.