Mbyllja e autostradës Tiranë-Durrës ka ‘paralizuar’ gjatë gjithë ditës së sotme rrugët e kryeqytetit duke shkaktuar trafik të rënduar.
Lidhur me situatën ka reaguar edhe policia e Tiranës, e cila thotë se për shkak të punimeve në autostradë është krijuar trafik i rënduar në disa zona brenda kryeqytetit, si dhe në hyrje e dalje të tij.
Policia thotë se ka marrë masat duke vendosur shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme në çdo kryqëzim dhe segment kryesor rrugor, me qëllim menaxhimin dhe lehtësimin e qarkullimit.
“Për shkak të mbylljes së përkohshme të autostradës Tiranë–Durrës, për arsye punimesh, të njoftuar me datë 10.10.2025, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, është krijuar trafik i rënduar në disa zona brenda kryeqytetit, si dhe në hyrje e dalje të tij.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme ndodhen në çdo kryqëzim dhe segment kryesor rrugor, me qëllim menaxhimin dhe lehtësimin e qarkullimit.
Policia e Tiranës u bën apel drejtuesve të automjeteve të tregojnë durim, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë, si dhe të përdorin rrugë alternative, për të shmangur vonesat në lëvizje.“-njofton policia.
Mbyllja e segmentit të autostradës Vorë- Durrës, ka shtuar edhe fluksin e mjeteve që lëvizin në drejtimin Tiranë- Elbasan.
Qindra mjete kanë kaluar nga Elbasani në drejtim të jugut duke sjellë edhe trafik të rënduar në hyrje-dalje të qytetit.
Policia e Elbasanit ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për t’i dhënë përparësi investimeve në infrastrukturën rrugore që po kryhen në segmentin Vorë- Durrës.