Bota

Mediat: Ja kush është grupi i armatosur që Izraeli mbështet në Gaza kundër Hamasit!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e pranoi se Izraeli është duke mbështetur një grup të armatosur në Gaza e që kundërshton radikalët e Hamasit, të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian. Mediat izraelite e palestineze kanë raportuar se grupi me të cilin është duke punuar Izraeli është pjesë e një fisi beduin vendas të udhëhequr nga Yasser Abu Shababi.

Instituti i quajtur Këshilli Europian për Marrëdhënie me Jashtë, e përshkruan Abu Shababin si lider të “një bande kriminale që operon në zonën e Rafahut e që gjerësisht akuzohet për plaçkitje të kamionëve me ndihma”.

Deputeti i Parlamentit izraelit, njëherazi ish-ministër i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, i tha televizionit publik Kan që “me urdhër të Netanyahu-t, qeveria po i jep armë një grupi kriminelësh e të dënuarish”.

Çfarë ka bërë publike Liebermani? Që bazuar në këshillat e zyrtarëve të sigurisë, ne kemi aktivizuar klane në Gazë që kundërshtojnë Hamasin. Çfarë ka të keqe këtu, pyeti Netanyahu në një video të publikuar në rrjete sociale. Ka vetëm të mira, janë duke u ruajtur jetët e ushtarëve izraelitë.

Michael Milshtein, ekspert për çështjet palestineze në Qendrën Moshe Dayan në Tel Aviv, tha për agjencinë e lajmeve AFP se klani i Abu Shababit është i zgjeruar përtej kufijve mes Gazës e Gadishullit Sinai të Egjiptit.

Një ditë më parë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, gjenerali Effie Defrin deklaroi se ushtria mbështet milici lokale të armatosura në Gaza, por nuk dha më shumë hollësi.

Mund të them se jemi duke operuar në mënyra të ndryshme kundër qeverisjes së Hamasit, vuri në dukje Defrin në një konferencë për media kur u pyet mbi këtë temë.

Izraeli është në luftë me Hamasin prej gati 20 muajsh, një konflikt i nxitur nga grupi terrorist, pas kryerjes së sulmit në tokën izraelite, më 7 tetor të vitit 2023. Aktualisht, gjendja në Gazë raportohet e rënduar, si pasojë e bllokimit të ndihmave nga autoritetet izraelite.