Tech

Meta nxiton të sjellë në treg modelin e ri të Llama!

Meta po përgatitet të publikojë modelin e ri të Inteligjencës Artificiale Llama 4.X deri në fund të vitit, si një nga projektet kryesore të laboratorit të sapokrijuar Meta Superintelligence Labs (MSL). Modeli i ri, që brenda kompanisë quhet edhe Llama 4.5, po zhvillohet nga një nën-grup i quajtur TBD. Pas lançimit të serisë Llama 4 në prill, i cili u prit me kritika për performancën e kufizuar në detyra praktike, Meta synon që versioni i ri të korrigjojë mangësitë dhe të sjellë përmirësime të dukshme.

Kompania kishte planifikuar gjithashtu një model tjetër të quajtur Behemoth, por sipas raportimeve, lançimi i tij u shty. Në korrik, CEO Mark Zuckerberg tha se MSL është ngritur për të zhvilluar gjeneratën e ardhshme të modeleve të AI-së dhe se përparimet drejt Llama 4.1 dhe 4.2 po ecin me ritëm të mirë. Ndërkohë, kreu i MSL, Alexandr Wang, ka theksuar se ekipi TBD po punon për “trajnimin dhe shkallëzimin e modeleve të mëdha drejt superinteligjencës”.

Megjithatë, edhe pse Meta ka ofruar paketa milionëshe për të rekrutuar ekspertë të AI nga OpenAI dhe Google DeepMind, laboratori i ri tashmë ka humbur disa punonjës të rëndësishëm. Deri tani, të paktën tetë inxhinierë, studiues dhe një drejtues i lartë produkti kanë lënë kompaninë në vetëm dy muajt e fundit.

Ndërkaq, Autoriteti italian i Antitrustit deklaroi, se koncerni i teknologjisë Meta, mund të ketë shkelur ligjin e konkurrencës të BE-së. Është fjala për instalimin e Inteligjencës Artificiale (IA) në shërbimin online Whatsapp. Një zëdhënës i Autoritetit italian të Antitrustit në Milano tha, se bashkë me policinë financiare italiane janë kontrolluar zyrat e biznesit të fialialit italian Meta. Hetimi po bëhet në “bashkëpunim të ngushtë” me autoritetet përkatëse të Bashkimit Europian.