Metoda e “pastrimit suedez” ka fituar popullaritet falë artistes Margareta Magnusson dhe idesë së saj për të shmangur grumbullimin e rrëmujës dhe të sendeve që do ta rëndonin atë dhe të dashurit e saj pas vdekjes. Ajo ka shkruar për këtë temë dhe qasja e saj ndaj pastrimit të shtëpisë funksionon jo vetëm për rregullimin e dollapit, por edhe për rishikimin e zakoneve, shëndetit madje edhe pamjes suaj. Ekspertët këshillojnë që të fillohet me më të dukshmen; rrobat dhe këpucët. Të gjithë e dinë çfarë veshin rregullisht dhe çfarë qëndron pa u përdorur prej vitesh.
Taka të larta që nuk i keni veshur për dhjetë vjet? Një palë këpucë që ju bezdisin që në hapin e parë? Këto sende vetëm zënë hapësirë dhe ju ngarkojnë psikologjikisht. E njëjta gjë vlen edhe për stilet e vjetruara që “presin kthimin e modës”, në realitet, me gjasë nuk do t’i vishni më kurrë. Megjithatë, mos u nxitoni, disa rroba cilësore mund t’i ruani përkohësisht, ndërsa pjesën tjetër dhuroni atyre që kanë më shumë nevojë.
Sipas statistikave, gratë përdorin rregullisht vetëm rreth 30% të rrobave të tyre, ndërsa pjesa tjetër janë të blera me nxitim për shkak të uljeve. Logjika e metodës suedeze është e thjeshtë: mbani vetëm ato që i përshtaten stil-it tuaj aktual të jetës. Të tjerat duhet larguar. Hapi i radhës është të mësoni të zgjidhni cilësinë përpara sasisë. Kjo vlen veçanërisht për veshjet e sipërme. Ato zgjasin më shumë, prandaj është më e leverdishme të investoni në një artikull të mirë gjatë uljeve, sesa të blini çdo sezon produkte të lira e jetëshkurtra. I njëjti parim vlen edhe për gardërobën bazë. Edhe pse duhet të ketë pak “rroba për dalje”, nuk duhet të jenë të tepërta. Shkathtësia është çelësi për të shmangur grumbullimin e panevojshëm.