Tensione të reja në Jerusalem. Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, hyri së bashku me qindra besimtarë hebrenj në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa, duke sfiduar status quo-në shumëvjeçare të një prej vendeve më të ndjeshme fetare në botë.
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, i njohur për qëndrimet e tij ekstremiste, udhëhoqi qindra hebrenj drejt kompleksit të Xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, gjatë ditës së zisë hebraike Tisha B’Av. Vizita u zhvillua në një nga vendet më të shenjta dhe më të kontestuara në botë.
Kompleksi, i vendosur në Jerusalemin Lindor, konsiderohet vendi i tretë më i shenjtë për myslimanët, ndërsa për hebrenjtë është vendi ku ndodheshin dikur Tempulli i Parë dhe Tempulli i Dytë. Pamjet tregojnë Ben Gvirin dhe qindra besimtarë hebrenj duke hyrë në kompleks që në orët e para të mëngjesit.
Shumë prej tyre zhvilluan edhe lutje në vend, ndonëse marrëveshja e status quo-së, e administruar nga Jordania, lejon vizitat e hebrenjve, por ndalon lutjet e tyre në këtë kompleks.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Ben Gvir deklaroi se hebrenjtë “po luten dhe ndihen pronarët e ligjshëm të këtij vendi”.
“Ditën e Tisha B’Av përkujtojmë shkatërrimin e Tempullit, por njëkohësisht shohim edhe përparimin e madh në Malin e Tempullit. Mbi të gjitha, shikoni çfarë po ndodh këtu. Hebrenjtë po luten dhe ndihen si pronarët e ligjshëm të këtij vendi; kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Gjithashtu, në gjithnjë e më shumë zona kemi ulur sulmet terroriste me 85%. Kudo njerëzit e kuptojnë se Shteti i Izraelit është autoriteti sovran. Ende ka punë për të bërë dhe, me ndihmën e Zotit, do të vazhdojmë të ecim përpara”, tha ai.
Veprimi pritet të shkaktojë reagime të forta, pasi në vitet e fundit Jordania, Autoriteti Palestinez dhe institucionet fetare myslimane kanë dënuar vazhdimisht vizita dhe lutje të tilla, duke i konsideruar shkelje të status quo-së.
Qeveria izraelite ka deklaruar se politika zyrtare për administrimin e kompleksit nuk ka ndryshuar, por incidente të tilla vazhdojnë të ushqejnë tensionet mes izraelitëve dhe palestinezëve.