Raportohet se udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po merr trajtim mjekësor në qytetin e shenjtë Qom, pas plagosjes në sulmet amerikane-izraelite që i morën jetën të atit, Ali Khamenei.
Referuar një raporti të publikuar nga The Times, që citon një memo diplomatike të bazuar te Inteligjenca amerikane dhe ajo izraelite, kleriku 56-vjeçar “ka qenë pa ndjenja e po trajtohet për një gjendje të rëndë, i paaftë për të ushtruar funksionet e tij”.
Kjo është hera e parë që bëhet publike vendndodhja e liderit suprem që prej fillimit të konfliktit. Qyteti i Qom-it, rreth 140 kilometra në jug të Teheran, konsiderohet qendra kryesore fetare e Islamit shiit dhe një nga bastionet më të rëndësishëm të pushtetit klerikal në Iran.
Dokumenti i cituar në raport thekson se Khamenei po trajtohet në një gjendje të rëndë dhe nuk është në gjendje të marrë pjesë në vendimmarrje, ndërsa shton se informacioni mbi vendndodhjen e tij ka qenë i njohur për shërbimet e inteligjencës prej disa kohësh, por nuk ishte bërë publik deri më tani.
Ndërkohë, sipas të njëjtit raport, po bëhen përgatitje për varrimin e Ali Khameneit në Qom, ku pritet të ndërtohet një mauzole i madh. Burime të Inteligjencës sugjerojnë se kompleksi mund të shërbejë për më shumë se një varr, duke ngritur spekulime mbi gjendjen kritike të liderit të ri.
Autoritetet iraniane konfirmuan se Mojtaba Khamenei u plagos në të njëjtin sulm ajror që vrau babanë e tij, si dhe disa anëtarë të tjerë të familjes, përfshirë bashkëshorten Zahra Haddad-Adel dhe një nga djemtë, në ditën e parë të konfliktit që ka përfshirë Lindjen e Mesme prej më shumë se pesë javësh.
Megjithatë, që nga emërimi në fillim të marsit, Khamenei nuk është shfaqur në publik. Disa deklarata të atribuara atij janë transmetuar nga televizioni shtetëror, por mungesa e regjistrimeve audio apo video ka shtuar dyshimet mbi gjendjen reale.
Teherani publikoi edhe një video të krijuar me Inteligjencë Artificiale e që shfaq liderin në një dhomë lufte, por zyrtarët iranianë këmbëngulin se ai mbetet në krye të vendit. Deri më tani, as Shtetet e Bashkuara dhe as Irani nuk kanë dhënë reagime zyrtare mbi pretendimet e raportit.