Aktualitet

Moti i keq çon në bllokim të unazës në Gjirokastër e dëmtim të urës së Mesaplikut në Vlorë!

Shirat e orëve të fundit që vijojnë pa ndërprerje kanë bërë që në Gjirokastër të dalë nga shtrati Përroi i Çullos. Për pasojë është bllokuar unaza që lidh lagjet Granicë e Gërhot, në hyrje të qytetit jugor. Rruga është mbushur me inerte.

Ndërkaq, u dëmtua ura e fshatit Mesaplik në Vlorë, duke e nxjerrë jashtë funksionit. Për pasojë, mbetën të izoluar 300 banorë, pasi ura është e vetmja rrugë që lidh fshatin me Selenicën.

Në verilindje ka reshje të dendura dëbore, që kanë përfshirë qarkun Kukës. Në Shishtavec, trashësia e dëborës shkon në 15 cm, në Valbonë, 20 e në Qafë Prush të Hasit, në 15 cm. Deri tani nuk raportohen probleme në rrugët kombëtare, që të gjitha janë të kalueshme. Paralelisht, vijon puna për pastrimin e dëborës, hedhjen e kripës dhe largimin e inerteve. I vetmi problem në mirëmbajtje shënohet në segmentin Fierzë-Lekbibaj. Në qarkun Kukës, nuk ka probleme në furnizimin me energji elektrike e ujë të pijshëm.

Edhe sot vijojnë shirat intensivë në pjesën më të madhe të vendit, duke sjellë shumë probleme. Më të dendur, paraqiten në Jug e Jugperëndim të territorit. Përgjatë kufirit lindor, në zonat malore ka reshje të dendura dëbore ndërsa mbrëmja sjell dobësim të intensitetit të reshjeve.

Temperaturat e ajrit në vend qëndrojnë konstante në mëngjes, ndonëse në mesditë ka rënie të tyre, duke u luhatur në vlerat -2 deri në 12 gradë celcius. Era fryn e fortë, me shpejtësi 65 km/h, kryesisht nga drejtimi Jugor-Jugperëndimor, duke gjeneruar në det dallgëzim mbi 5 ballë.