Rajoni

Moti i keq, përmbytje në disa rrugë të Kosovës!

Ministria e Infrastrukturës njoftoi se në disa rrugë të Kosovës ka probleme për shkak të reshjeve të shiut. Ndërkaq, Agjencia për Menaxhim Emergjent dha detaje:

Një segment i rrugës nacionale Ferizaj-Prishtinë, sot u mbyll për qarkullim për automjete, për një kohë të caktuar, për shkak të ujit të madh në rrugë.

Policia e Kosovës njoftoi se segmenti që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, nga rrethi i “Prishtina Mall” në drejtim të Prishtinës dhe ai nga rrethi i “Marigonës” drejtim Ferizajt janë mbyllur plotësisht për qarkullimin e automjeteve, “për një kohë të caktuar”.

Ky veprim është ndërmarrë si masë e domosdoshme për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve dhe parandalimin e rrezikut në trafik.

Edhe në nënkalimin në Mazgit, në drejtim të autostradës, ka grumbullim të ujit “si pasojë e bllokimit të kanalit atmosferik”. Po punohet që të zhbllokohet rruga.

Ministria e Infrastrukturës tha se në autostradën “Ibrahim Rugova” ka rrëshqitje të dheut.

Në Sllatinë, në rrugën Fushë Kosovë-Gjurgjicë, gjithashtu ka grumbullim të ujit në rrugë.

Në Zhur–Dragash ka lëvizje të trupit të rrugës. Është vendosur sinjalizimi përkatës dhe aktualisht qarkullimi zhvillohet në një shirit.

Agjencia për Menaxhim Emergjent raporton për vërshime në fshatin Smallush të Lipanit dhe në rrugën Shtime-Reçak, pranë një qendre tregtare.

Në Mitrovicë u evakuua një familje, si edhe ka pasur ndërhyrje në të tjera pjesë të Kosovës, si pasojë e grumbullimit të ujit.

Mëngjesin e sotëm, Kosova është përballur me reshje shiu, për t’u pasuar me dëborë dhe ulje temperaturash.

Ditët e fundit, për shkak të reshjeve të shiut, disa zona në Kosovë u përballën me vërshime që shkaktuan dëme në pronat private dhe në infrastrukturën rrugore.

Po ashtu, për shkak të vërshimeve, disa zona kanë pasur probleme me energji elektrike dhe furnizim me ujë të pijshëm, ndërsa Ministria e Arsimit vendosi të shtyjë për më 12 janar rinisjen e vitit shkollor pas pushimeve dimërore.