Rajoni

Jo vetëm Shqipëria, edhe Kosova me pasoja nga moti i keq!

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) bëri të ditur se reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa qytete, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit.

Në vende si Gjakova, Juniku, Deçani, Malisheva, Rahoveci dhe Klina, shirat bënë që lumenjtë dhe përrenjtë të dalin nga shtretërit e tyre.

Këto reshje, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke mundësuar paraqitjen e vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Disa lumenj si Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës kanë ngritje “të lehta” të nivelit të ujit.

Në Mitrovicë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit ndërpreu përkohësisht furnizimin me ujë për shkak të “ngritjes së nivelit të lartë të turbulleshmërisë në kanalin e Ibër-Lepencit”.

Kjo masë po ndërmerret për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijes, në përputhje me standardet teknike dhe shëndetësore në fuqi, theksohet në njoftimin e KRU “Mitrovica”.

Në rrjetet sociale, banorë, zyrtarë komunalë dhe media lokale kanë publikuar foto e video që tregojnë përmbytjet.

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, tha se ekipet e emergjencave mbeten të angazhuara në terren që nga mesnata.

Reshjet e natës së mbrëmshme të cilat po vazhdojnë edhe sot kanë sjellë vërshime në disa zona të Komunës së Skenderajt, duke shkaktuar vështirësi për një numër familjesh, shkroi Lushtaku në Facebook.

Në Malishevë, shtabi për menaxhimin e situatave emergjente iu bëri apel qytetarëve që të shmangin “lëvizjet e panevojshme”, për shkak të vërshimeve.

Shumë rrugë janë bllokuar nga uji si pasojë e rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave, duke e vështirësuar qarkullimin. Andaj, lusim qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë dhe, në rastet kur lëvizja është e domosdoshme, të shfrytëzojnë rrugët alternative, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.

Me njoftime të ngjashme kanë dalë edhe disa komunat Gjakovë e Klinë.

Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, që kryesisht kanë shkaktuar dëme materiale.

Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave.