Aktualitet

Moti i keq, pezullohen lundrimet Durrës-Bari e anasjelltas!

Lundrimet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas janë pezulluar këtë të diel, si pasojë e motit të keq me erë të fortë, në të dy anët e Adriatikut.

Për të gjithë pasagjerët që kanë rezervuar lundrimin, nisjet do të kryhen ditën e nesërme, në orën 22:00, me normalizimin e situatës së motit.

Ndërkohë, trageti “AF MIA” do të niset sipas parashikimit.

Edhe në Portin e Shëngjinit moti i keq ka sjellë pezullim të përkohshëm të lundrimit detar. Autoritetet portuale njoftojnë se prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, erërat e forta dhe dallgët e larta e bëjnë të rrezikshëm lundrimin për anijet dhe mjetet e vogla detare.

Në këtë situatë, kapiteneria e portit ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të hyrje-daljeve të anijeve, deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë lundërtarëve dhe peshkatarëve të shmangin daljen në det deri në një njoftim të dytë, duke ruajtur sigurinë e tyre dhe të mjeteve lundruese.

Pezullimet po për shkak të motit të keq nuk kanë kursyer as Vlorën. Autoriteti Portual njoftoi se në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 23-25 mars, janë ndërmarrë masa për parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike.

Autoriteti Portual kërkoi bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.

Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike “është ndaluar pajisja me leje-nisje e mjeteve te vogla lundruese dhe atyre të peshkimit, të cilat operojnë në det të hapur duke filluar nga ora 06:00 datë 23 mars.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë pas orës 08:00 të datës 25 mars.

Sipas Autoritetit Portual “të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre”.

Lëvizja e anijeve të transportit ndërkombëtar detar për pasagjerë dhe automjete në linjën Vlorë – Brindisi – Vlorë, anulohet deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike detare, që do të jetë pas orës 22:00 të datës 24.03.2025.