Alaia Baldwin, motra e modeles së njohur Hailey Bieber, po përballet me pasoja serioze ligjore, pasi është arrestuar dhe akuzuar për një incident të rëndë që dyshohet se ka ndodhur në një bar në Savannah, Georgia.
33-vjeçarja u arrestua në shkurt të vitit 2024, pasi sipas raportimeve të mediave amerikane, përfshirë Us Weekly, ajo dyshohet se sulmoi fizikisht tre punonjës të lokalit, duke shkaktuar një situatë kaotike. Prokuroria e Xhorxhias ka ngritur katër akuza për kundërvajtje ndaj saj: sulm i thjeshtë, dhunë e thjeshtë dhe dy akuza për shkelje të pronës.
Nëse shpallet fajtore, Baldwin mund të dënohet me deri në një vit burg. Seanca e dhënies së dënimit është planifikuar për më 23 prill.
Sipas dëshmive të punonjësve, ngjarja nisi kur Alaia Baldwin hyri në tualetin e stafit dhe iu kërkua të përdorte tualetin e klientëve.
Pretendohet se ajo reagoi në mënyrë agresive, duke bërë kërcënime verbale dhe duke sulmuar fizikisht stafin. Një roje sigurie raportohet se iu shkëputën fije flokësh gjatë përplasjes, ndërsa një tjetër u godit me shqelma në organet gjenitale.
Një nga akuzat më të rënda lidhet me një kamariere, e cila pretendon se Baldwin i hodhi një tampon të përdorur në banjën e stafit.
Në një intervistë për TMZ, kamarierja Hailey Coley deklaroi se lavamani ishte i mbushur me të vjella dhe se, pasi u përpoq ta nxirrte Baldwin nga banja, ajo u përball me sjellje fyese dhe të papranueshme.
Ky ishte lëng trupor që ra në kontakt me mua. Është diçka krejtësisht e papranueshme, sidomos kur po përpiqesh të ndihmosh dikë
-u shpreh ajo, duke shtuar se po shqyrton mundësinë e një padie civile.
Punonjësit e lokalit dyshojnë se Baldwin ishte nën ndikimin e alkoolit në momentin e incidentit.
Nga ana e saj, Alaia Baldwin u tha oficerëve se kishte vepruar në vetëmbrojtje, duke pretenduar se ishte nxjerrë me forcë nga lokali.
Megjithatë, një raport policor i siguruar nga E! News tregon se ajo fillimisht mohoi disa nga veprimet, përfshirë hedhjen e tamponit, por më vonë pranoi se kishte ndodhur.
Avokati i saj, Drew Findling, reagoi për TMZ duke deklaruar se Baldwin ndodhej në Savannah për të festuar martesën e një shoqeje të ngushtë dhe se ajo është “thellësisht e turpëruar dhe e penduar” për atë që ndodhi.
Sipas tij, ajo po merr masa për të siguruar që një incident i tillë të mos përsëritet.