Hailey dhe Justin Bieber kanë shënuar një dekadë momentesh romantike, por një postim i thjeshtë në natën e Vitit të Ri mjaftoi për të ndezur rrjetet sociale dhe për të hapur sërish debate të vjetra.
Modelja vendosi të festojë këtë përvjetor simbolik duke publikuar në Instagram Story një foto nga e kaluara, ku ajo dhe Justin shfaqen në një puthje pasionante. Bëhet fjalë për një imazh të vitit 2016, i postuar fillimisht nga vetë Justin, në kohën kur çifti bëri publike lidhjen e tyre.
Në foto, Hailey shihet e veshur me një bluzë të shkurtër dhe pantallona të shkurtra xhins, ndërsa Justin e përqafon butësisht nga beli. Mbishkrimi i saj ishte i drejtpërdrejtë:
Dhjetë vite bashkë. Dhe duke numëruar.
Por ajo që tërhoqi edhe më shumë vëmendje ishte reagimi i Justin Bieber. Në një mënyrë të heshtur, por provokuese, ai e shoqëroi postimin me një emoji të gishtit të mesëm të ngritur, duke u interpretuar nga shumë ndjekës si një mesazh për kritikët që vazhdojnë të vënë në dyshim marrëdhënien e tyre.
Postimi ringjalli menjëherë diskutime për të kaluarën sentimentale të këngëtarit, veçanërisht për lidhjen e tij me Selena Gomez. Disa përdorues vunë në pikëpyetje kronologjinë e deklaruar nga Hailey, duke theksuar se pas vitit 2016, Justin kishte qenë ende në një marrëdhënie me Selenën.
Komentet në rrjet nuk munguan: disa e akuzuan çiftin për “rishkrim historie”, ndërsa të tjerë dolën në mbrojtje të Hailey-t, duke sqaruar se ajo i referohej përvjetorit të fotos dhe jo një marrëdhënieje të pandërprerë 10-vjeçare.
Justin dhe Hailey u njohën për herë të parë si adoleshentë, falë babait të saj, Stephen Baldwin. Fejesa e tyre u konfirmua në korrik 2018, ndërsa martesa u celebrua po atë vit.
Në gusht 2024, çifti mirëpriti edhe fëmijën e tyre të parë, duke vulosur historinë e tyre larg zhurmave dhe polemikave, edhe pse rrjeti nuk harron kurrë.