Daisy dhe Phoebe Tomlinson kanë treguar se si fama e papritur e vëllait të tyre, Louis Tomlinson, u ndikoi fëmijërinë, teksa fansat e One Direction mblidheshin jashtë shtëpisë së familjes.
Në episodin më të ri të podcast-it të tyre “Tea With The Twins”, binjaket 21-vjeçare rrëfyen se si jeta e tyre ndryshoi pas suksesit të madh të Louis në The X Factor, në vitin 2010, kur ai u bë i famshëm bashkë me Harry Styles, Liam Payne, Niall Horan dhe Zayn Malik.
Ishte pas X Factor-it kur njerëzit nisën të uleshin në kopshtin tonë të përparmë. Vetëm turma e turma me vajza të reja, gjë që tani, kur e mendoj, më duket si njëfarë cënimi i privatësisë
– tha Daisy.
Ajo shtoi se nuk e kuptonte dot pse njerëzit ishin kaq të fiksuar pas vëllait të saj:
Nuk e kuptoja pse të gjithë ishin kaq të çmendur pas këtij djali. Ai është thjesht një njeri normal, ndërsa ata ishin të mrekulluar.

Phoebe ndërkohë tha se, pavarësisht famës së madhe, Louis në familje sillet si njeri krejt normal:
Ai është i mrekullueshëm, por sillet si njeriu më normal në botë. Kështu që ndonjëherë e harron gjithë atë që ka arritur.

Binjaket pranuan se gjatë viteve të suksesit të One Direction, e shihnin shumë rrallë vëllain e tyre për shkak të turneve intensive.
Në kohën e One Direction, e shihnim ndoshta katër herë në vit. Jo shumë. Ishte çmenduri. Për Krishtlindje vinte gjithmonë, por kaluan vite që nuk e kishim pranë në ditëlindjet tona
– tregoi Daisy.
Ato kujtuan se ishin vetëm 6 vjeç kur u formua One Direction dhe se shpesh e morën “për të mirëqenë” gjithë atë që po përjetonin, pa e kuptuar plotësisht:
Nuk ke mundësinë të ndalesh dhe të përpunosh çfarë po ndodh. Nëse do të ndodhte tani, do ta vlerësoja shumë më shumë çdo vend ku shkuam dhe çdo eksperiencë. Shkuam në vende ku s’do të kishim shkuar kurrë nëse ai do të kishte një punë normale
– tha Daisy.
Ato treguan se shpesh udhëtonin me band-ën, rrinin backstage dhe sillnin shoqet e tyre nëpër koncerte, të cilat për to në atë kohë dukeshin thjesht si “dalje me shoqe”.
Rikujtojmë se më herët këtë javë, Louis Tomlinson ka bërë bujë me deklaratën se e ka “urrejtur” gjithmonë ta performonte hitin e One Direction, “What Makes You Beautiful”, duke thënë se nuk mban mend asnjë herë kur e ka kënduar me qejf, pavarësisht se kënga ishte debutimi i grupit dhe u ngjit në krye të klasifikimeve.