Simon Cowell ka folur për herë të parë për komentet dhe akuzat që e lidhin emrin e tij me vdekjen tragjike të Liam Payne, ish-anëtarit të One Direction.
Producenti i njohur i muzikës dhe njeriu që formoi grupin në vitin 2010, është vënë në shënjestër nga fansa dhe opinioni publik, të cilët pretendojnë se presioni i industrisë dhe dinamika e asaj periudhe mund të kenë ndikuar në fatin e këngëtarit.
Në një intervistë për podcastin “Rolling Stone Music Now”, Cowell u shpreh qartë se nuk pranon asnjë lidhje të tillë, duke theksuar se askush nuk mund të mbahet përgjegjës për zgjedhjet e dikujt pas kaq shumë vitesh.
Nuk lexoj asgjë nga ato që shkruhen. Ideja se je në thelb përgjegjës për jetën e dikujt, dhjetë vjet pas ditës kur ke nënshkruar me ta? Nuk mund ta pranosh këtë
-tha ai, duke nënvizuar se shmang komentet dhe rrjetet sociale për të mbrojtur shëndetin e tij mendor.
66-vjeçari, i cili krijoi One Direction në X Factor në vitin 2010, iu referua kështu vdekjes së Liam Payne, i cili humbi jetën tetorin e kaluar në Argjentinë, pasi ra nga ballkoni i një hoteli dhe rezultoi pozitiv për substanca të shumta.
Pas renditjes së tretë në garë, ata nënshkruan me Syco Records, kompaninë diskografike të Cowell.
Gjatë intervistës, Simon zbuloi se ishte takuar me Liam rreth një vit para vdekjes së tij dhe se një pjesë e bisedës kishte qenë pikërisht për jetën përtej muzikës.
Mbaj mend t’i thoja: ‘Muzika nuk është gjithçka. Mos e lejo më të kontrollojë jetën tënde. Gjej diçka tjetër për të cilën je i apasionuar’
-rrëfeu ai.
Megjithatë, Cowell pranoi se humbja e Liam e ka bërë ta vërë veten në pikëpyetje.
Pyes veten: ‘A mund të kisha bërë më shumë? Çfarë do t’i kishte ndodhur Liam nëse nuk do t’i ishte bashkuar kurrë grupit?’
-u shpreh ai, duke treguar se ngjarja e ka prekur thellë.
Simon tha se herën e fundit që kishte folur me të, Liam i ishte dukur në gjendje të mirë mendore.
Mendova se ai ishte në një vend shumë të mirë në atë kohë. Do të doja të kthehesha pas në kohë, sigurisht. Kur fola me të atë ditë, u ndjeva shumë mirë për të
-përfundoi ai.