Besimtarë të fesë islame janë duke festuar Kurban Bajramin, duke bërë lutje për paqe dhe solidaritet mes njëri-tjetrit. Ceremonia kryesore në Kosovë u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, nën drejtimin e myftiut Naim Tërnava, i cili u shpreh se festa e Kurban Bajramit është ditë gëzimi, por edhe reflektimi.
Eshtë ditë kur kujtojmë mëshirën e Zotit, faljen dhe begatinë që ai na dhuron. Eshtë ditë kur ne si besimtarë, por edhe si shoqëri, i kthejmë sytë edhe më shumë ndaj njëri-tjetrit me dhembshuri, solidaritet e përgjegjësi.
Liderët shtetërorë të Kosovës i uruan besimtarët për këtë festë, duke bërë thirrje për harmoni dhe begati në çdo familje. Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se Kurban Bajrami është thirrje për reflektim dhe forcim të lidhjeve.
Në këtë ditë të veçantë, uroj që në çdo shtëpi të mbizotërojë gëzimi, shëndeti dhe dashuria. Qoftë kjo festë një burim frymëzimi për një të ardhme më të ndritur, me më shumë dhembshuri, mirësi e respekt të ndërsjellë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se “kjo festë na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri”.
Uroj që kjo ditë t’ua gjejë zemrat e tryezat të mbushura përplot, dhe paçi mbarësi e mirësi, shëndet e lumturi sot e mot, theksoi Kurti përmes një postimi në Facebook.
Festa e Kurban Bajramit karakterizohet me pelegrinazhin e Haxhit dhe flijimin e kurbanit apo therjen e dashit. Haxhi është një ndër pesë shtyllat e Islamit. Sipas mundësive fizike dhe financiare, myslimanëve u kërkohet që ta kryejnë këtë ritual së paku një herë në jetë. Ai zgjat pesë ditë e mbahet në Arabinë Saudite, ku ndodhen vendet më të shenjta të Islamit. Këtë vit, detyrimin janë duke e kryer mbi 1.5 milion pelegrinë.