Politikë

Protestat për ‘Zvërnecin’, Rama: Tivati i Malit të Zi, dikur me 10 mijë banorë, sot me 5 milionë turistë në vit nga resortet luksoze!

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me socialistët në Vlorë në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të kësaj force politike, foli edhe për protestat që zhvillohen në Tiranë lidhur me projektin për ndërtimin e një resorti në Zvërnec.

Rama tha se kishte mbërritur në Vlorë drejtpërdrejt nga Tivati dhe se vizita e tij në qytetin malazez e kishte bërë të reflektonte mbi mënyrën se si investimet mund të ndryshojnë rrënjësisht të ardhmen e një vendi.

“Dua t’ju them se sot erdha këtu drejtpërdrejt nga Tivati. Gjatë gjithë kohës që kam qenë atje, kam menduar se si mund të ndryshojë rrënjësisht fati i një vendi dhe se si një vendim i gabuar apo një sjellje e gabuar e atyre që marrin vendime mund ta devijojë rrugën e së ardhmes së një vendi në një drejtim krejt tjetër”, u shpreh Rama.

Duke folur për transformimin e qytetit malazez, Rama theksoi se Tivati dikur ishte një qytet me rreth 10 mijë banorë, i konsideruar si një destinacion bregdetar i nivelit të ulët dhe me pak turistë. Sipas tij, investimet e mëvonshme e shndërruan qytetin në një destinacion që sot pret miliona vizitorë çdo vit.

“Përpara se të transformohej, Tivati ishte një qytet me rreth 10 mijë banorë, ku nuk shkonin turistë dhe që konsiderohej nga të gjithë si një bregdet i nivelit të ulët. Erdhi një investim që e transformoi Tivatin në një vend që sot pret rreth 5 milionë turistë në vit”, deklaroi kryeministri.

Gjatë fjalës së tij në 35-vjetorin e PS-së në Vlorë, Rama u shpreh se vendet ngecin kur ka varfëri në ëndrra.

Ai shtoi se vendet ngecin gjithashtu kur udhëhiqen nga sharlatanë, të cilët thonë: ‘Vendi është i juaji’.

“Ai investim, nuk do sjellë vetëm paratë, nuk do ndërtojë vetëm vilat e hotelet, por do sjellë një vlerë të shumëfishuar në të gjithë këta komponentë jashtë kufijve të tij. Është kjo që transformon me themel ekonomitë. Jo ëndrrat e varfra. Vendet nuk ngecin nga varfëria. Varfëria sulmohet, varfëria mundet, kapërcehet. Vendet ngecin kur kanë varfëri në ëndrra. Popujt ngecin nga njerëz që janë të varfër në ëndrra dhe që janë  të pangopur në interesat e tyre. Popujt ngecin kur udhëhiqen nga sharlatanë, si ata që ju thonë se ky vend është vetëm i juaj. Ky vend është vetëm i juaji i thoshte Hitleri gjermanëve dhe ju e dini si mbaroi historia. Si një nga popujt më me kulturë, u mbulua nga një re e zezë”, tha ndër të tjera Rama.