Komuna e Skenderajt ka njoftuar se ceremonia e varrimit të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi do të zhvillohet më 18 mars, në orën 15:00.
Sipas njoftimit të bërë publik nga sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, homazhet do të mbahen nga ora 09:00 deri në 12:00 në palestrën “Ilaz Kodra” në Skënderaj.
Komuna e Skenderajt, në emër të qytetarëve të saj, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Thaçi dhe për të gjithë ata që kanë njohur dhe vlerësuar jetën e të ndjerit Haxhi Thaçi.
Pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta babai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Mediat e Kosovës raportojnë se Haxhi Thaxhi po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare, por nuk e fitoi dot betejën me sëmundjen e rëndë dhe ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme.
“Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të Presidentit Hashim Thaçi. Sot, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, nuk u shua vetëm një njeri, por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar, një burrë që me përkushtimin dhe edukatën e tij ndihmoi në lindjen e një epoke të re për kombin tonë.
Ngushëllimet më të sinqerta Presidentit Thaçi, familjes Thaçi dhe mbarë kombit shqiptar. Haxhi Thaçi ishte më shumë se një prind – ai ishte një shtyllë e fortë e vlerave atdhetare, një njeri i urtë dhe fisnik, i cili la pas një trashëgimi të pavdekshme në historinë tonë. U prehtë në paqe”, shkruan Krasniqi.Lajmi i konfirmua nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili i ka shprehur ngushëllime presidentit Thaçi, familjes Thaçi dhe mbarë kombit shqiptar.
Një reagim të shkurtër ka pasur edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama i cili teksa ka ndarë një foto të ish-presidentit Thaçi me babanë e ndjerë shkruan “Baba iku krenar Hashim”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka dërguar një letër ngushëllimi familjes Thaçi, ku shkruan mes të tjerash se Haxhi Thaçi kujtohet për urtësinë, respektin dhe dashurinë për vendin.
Vetëm 4 ditë më parë, më 13 mars, Gjykata Speciale në Hagë i dha leje ish-presidentit Thaçi dhe erdhi në Kosovë për të vizituar babanë e tij në gjendje të rënduar shëndetësore. Gjykata kishte refuzuar disa herë kërkesat e Thaçit për të vizituar babanë në spital, por më 13 mars u dha leja, ndërsa Thaçi u prit me thirrjet “UÇK, UÇK” dhe “O Hashim, o hero, krejt Kosovën këtu e ke”.
Pasi ka përfunduar vizitën te babai i tij, Hashim Thaçi është kthyer në Hagë, ku po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit bashkë me ish-eprorët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.