Aktualitet Bota

Ndarja nga jeta e kreut të PE-së, David Sassoli, politika shqiptare shpreh ngushëllime!

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli ndërroi jetë në moshën 65-vjeçare. Zëdhënësi i tij konfirmoi:

Sassoli, mbylli sytë sot herët në mëngjes, në një spital në komunën verilindore italiane të Avianos.

Një ditë më parë, Parlamenti Europian bëri të ditur se ai ishte shtruar në një spital në Itali më 26 dhjetor, “për shkak të një ndërlikimi serioz nga një mosfunksionim i sistemit imunitar”. Në shtator, politikani italian i qendrës së majtë kaloi disa ditë në spital, me pneumoni. Gjithashtu u detyrua të anashkalonte seancën plenare të legjislaturës në tetor, për shkak të sëmundjes.

Spitali “Centro di Riferimento Oncologico” në Aviano nuk iu përgjigj kërkesave për informacion. Muajin e kaluar, Sassoli i martuar e baba i dy fëmijëve, i tha gazetës italiane “Corriere della Sera” se nuk po planifikonte të kandidonte për rizgjedhje në fillim të vitit 2022. I lindur në Firence më 30 maj 1956, David Sassoli kaloi nga gazetaria në politikë e në vendin fqinj ishte figurë shumë e njohur.

Politika shqiptare shprehu ngushëllime. Presidenti Ilir Meta:

I hidhëruar nga humbja e papritur e një evropianisti të shquar dhe mbështetësi të palodhur të zgjerimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të Shqipërisë, Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli. Ngushëllime për familjen e tij dhe institucionet evropiane!

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla:

Jam thellësisht e dëshpëruar  për ndarjen nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli. Evropa humbi një politikan e shtetar të shquar, Parlamenti Evropian liderin e tij vizionar, Shqipëria humbi një mik të madh, të rrallë e të çmuar, që ishte, siç u shpreh Ai vetë në takimin që patëm para një muaji, “zëri i Shqipërisë brenda BE-së”. Ngushëllime familjes! Pushofsh në paqe, i dashur David!

Kryeministri Rama:

Çfarë trishtimi! Miku ynë i mirë, Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, një evropian i paepur, një italian krenar, një avokat i zjarrtë i Shqipërisë, gazetar i shquar dhe më pas politikan i respektuar nga të gjithë, ndërroi jetë befasisht duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm tek kushdo pati nderin e kënaqësinë ta njihte.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj shprehu ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, të cilit gjatë një vizite, i dorëzoi “Çelësin e Tiranës”:

Iku shumë shpejt! Me trishtim të thellë dëgjova për largimin e hershëm të David Sassoli. Presidenti karizmatik i Parlamentit Europian, një evropian i pasionuar, një italian tipik, një adhurues i vërtetë i Shqipërisë, dhe një mik i dashur! Trashëgimia e tij bujare do të mbetet! Addio amico mio!

Kryetari demokrat, Lulzim Basha:

Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të David Sassoli, Presidentit të Parlamentit Europian, miku i mirë i shqiptarëve dhe mbështetës i sinqertë i aspiratës tonë kombëtare për integrimin europian. Ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij për këtë humbje pikëlluese. U prehtë në paqe!