Gossip

Në çfarë date do të lirohet reperi Sean “Diddy” Combs nga burgu?

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Byroja e Burgjeve në SHBA, reperi dhe producenti i njohur amerikan, Sean “Diddy” Combs, pritet të lirohet nga qendra paraburgimore e Brooklyn më 8 maj 2028.

Combs, 55 vjeç, po vuan një dënim prej 50 muajsh burg, pas vendimit të gjykatës në korrik 2025, ku ai u shpall fajtor për dy akuza për transportim personash përtej kufijve shtetërorë me qëllim prostitucioni. Megjithatë, ai u lirua nga akuzat më të rënda për trafikim qeniesh njerëzore dhe shantazh, të cilat mund të kishin sjellë një dënim me burgim të përjetshëm.

Gjatë seancës gjyqësore, gjykatësi pranoi kontributin e Combs si artist dhe biznesmen i suksesshëm që kishte ndihmuar komunitete të ndryshme, por theksoi seriozitetin e veprimeve të tij dhe ndikimin e tyre shkatërrues, veçanërisht përmes festave dhe aktiviteteve që ishin kthyer në qendra abuzimi dhe manipulimi.

Përveç dënimit me burg, reperi u urdhërua të paguajë një gjobë prej 500,000 dollarësh dhe të marrë pjesë në programe rehabilitimi që lidhen me shëndetin mendor dhe abuzimin me substanca.

Byroja e Burgjeve njoftoi gjithashtu se është e mundur që Combs të transferohet në një tjetër institucion korrektues gjatë vuajtjes së dënimit.

Dënimi prej 50 muajsh përfshin edhe periudhën që ai ka kaluar tashmë në burg që nga shtatori 2024, e cila do të llogaritet në kohën totale të qëndrimit pas hekurave.

Kjo shënon një kthesë dramatike në jetën e një prej figurave më me ndikim të muzikës hip-hop, i cili për dekada u identifikua me luksin, suksesin dhe ndikimin në industrinë e argëtimit botëror.