Vazhduan edhe sot protestat me bllokim të rrugëve në Serbi. Protestuesit kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, lirimin e studentëve të arrestuar, si dhe heqjen e kampit me çadra, që zyrtarët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) kanë ngritur mes selisë së Presidencës e zyrave të Parlamentit në Beograd.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë se mëngjesin e sotëm, një grup njerëzish, ndaloi trafikun pranë Fakultetit të Elektroteknikës në Beograd, por policia i largoi pak më vonë nga rruga. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se natën mes 1 dhe 2 korrikut u ndaluan 72 persona nga protestat, si edhe u verifikua identiteti i 976 pjesëmarrësve.
24 orët e fundit, në Serbi u mbajtën 117 tubime të paparalajmëruara dhe u regjistruan 87 bllokada trafiku, 68 në Beograd.
Incidente u regjistruan në Zemun, Nish, Novi Sad e Valevë, ku disa persona u ndaluan për shkelje të rendit publik dhe kryerje të veprave penale ndërsa policia veproi në përputhje me ligjin, deklaroi Ministria e Brendshme serbe.
Organizata akademike “Studentët në bllokadë” bëri thirrje për mosbindje civile, pas tubimit të 28 qershorit në Beograd. Ata janë duke protestuar që prej ngjarjes tragjike në Novi Sad, ku nga shembja e një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor, humbën jetën 16 persona, më 1 nëntor 2024.
Kërkesat e tyre përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, identifikimin dhe ndjekjen penale të personave që kanë sulmuar protestuesit gjatë tubimeve në të gjithë Serbinë, lirimin e aktivistëve të arrestuar në protesta e ndërprerjen e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Nga muaji maj, kërkesë e përsëritur është bërë thirrja e zgjedhjeve të parakohshme, që qeveria e re të mund të punojë për përmbushjen e kërkesave të mëparshme. Megjithatë, tashmë protestat duket se kanë marrë edhe një kthesë nacionaliste. Studentët kërkojnë një shtet më të drejtë, si edhe bëjnë thirrje për mbrojtjen e integritetit territorial të Serbisë e të neutralitetit të saj ushtarak.