Rajoni

Protestat në Beograd, bllokada të reja “të lëvizshme”!

Një grup qytetarësh pezulloi për pak kohë trafikun pranë Sheshit të Republikës në Beograd. Sipas raportimeve të ekipit të Radios Evropa e Lirë në terren, në kryeqytetin e Serbisë, për një moment u bllokua rruga Kolarçeva.

Qytetarët e mbledhur kalonin pa pushim në vijat e këmbësorëve. Me mbërritjen e policisë, trafiku u normalizua.

Policia ndërhyri edhe pranë Fakultetit Juridik, ku më herët ishin vendosur kontejnerë dhe pengesa të tjera në kryqëzimin mes Bulevardit të Mbretit Aleksandër dhe rrugës Beogradska. Në atë zonë, trafiku ishte ndërprerë që në orët e mëngjesit, por më pas u rikthye, njoftoi ekipi i REL-it. Pas ndërhyrjes së policisë para Fakultetit Juridik, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Komunale larguan barrikadat nga rruga.

Në ditët pas protestës masive të mbajtur në Sllavija më 28 qershor, qytetarët kanë nisur të organizojnë bllokada “të lëvizshme” në disa pika të Beogradit dhe në shumë qytete të tjera të Serbisë. Të dielën në mbrëmje dhe gjatë gjithë ditës së djeshme, policia ndërhyri për të shpërndarë këto bllokada. Disa nga aksionet policore janë shoqëruar me arrestime ndërsa studentët pjesëmarrës në bllokadë kanë akuzuar policinë për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve.

Në përgjigje, policia deklaroi se veproi “në mënyrë tejet profesionale”. Nga ana tjetër, studentët raportojnë arrestime. Në llogaritë e tyre në rrjetet sociale janë publikuar video të prangosjeve e të shpërndarjes së barrikadave, shoqëruar me akuza se “populli po dhunohet e se po i mohohet liria” dhe se “policia po fsheh identitetin e po dhunon qytetarët e vendit”.

Pamje të arrestimeve, ku shihet përdorimi i forcës nga policia, janë regjistruar pranë Fakultetit Juridik në qendër të Beogradit dhe në rrugën Vojvode Stepe, në lagjen Vozhdovac. Në një nga këto video, të publikuara në rrjetet sociale, shihet se automjetet policore përplasen drejt protestuesve në rrugën Vojvode Stepe, teksa protestuesit largohen me vrap nga rruga.