Gratë e grupmoshës 25-44 vjeçe shpesh nuk arrijnë të dallojnë nëse lëkura e tyre është e yndyrshme, e thatë, e ndjeshme apo mikse. Përcaktimi i saktë i tipit të lëkurës është hapi i parë drejt një kujdesi të shëndetshëm dhe të suksesshëm për fytyrën. Një lëkurë e trajtuar mirë jo vetëm që duket bukur, por është edhe më rezistente ndaj plakjes dhe ndotësve të ambientit. Për këtë arsye, disa kompani të mëdha kozmetike kanë zhvilluar testime të thjeshta në shtëpi ose digjitale, që ndihmojnë për të identifikuar tipin e lëkurës dhe për të sugjeruar produkte të përshtatshme.
Kur përdoren produkte të papërshtatshme, lëkura aktivizon mekanizmat e saj mbrojtës, duke shfaqur simptoma të ndryshme si lëkura e yndyrshme zhvillon akne kozmetike: pika të zeza, të bardha, puçrra dhe skuqje, lëkura e ndjeshme reagon me skuqje të përhapura, kruarje dhe ndjesi djegieje, lëkura e thatë irritohet shpejt, duke krijuar ndjesi shtrëngimi dhe zbokth të lehtë në sipërfaqe. Në raste të tilla, gjëja e parë që duhet bërë është ndërprerja e menjëhershme e produktit, larja me ujë të bollshëm dhe, nëse shenjat vazhdojnë, konsultimi me një dermatolog. Lëkura e yndyrshme është e lehtë për t’u dalluar; shkëlqen, ka pore të zgjeruara dhe shpeshherë puçrra.
Por, mund të mashtrojë, duke u dukur e thatë, kur poret janë të bllokuara dhe yndyra nuk del në sipërfaqe. Lëkura e thatë irritohet lehtë dhe rigjenerimi i qelizave është i ngadalësuar. Ndjesia e shtrëngimit pas larjes është një nga shenjat kryesore. Lëkura mikse është një kombinim; zona T (balli, hunda dhe mjekra) janë të yndyrshme, ndërsa faqet mund të jenë normale ose të thata. Lëkura e ndjeshme reagon me skuqje të menjëhershme, kruarje ose djegie pas ekspozimit në produkte të caktuara apo faktorë të jashtëm. Për lëkurë të yndyrshme zgjidh produkte pa vajra, jo-komedogjenike, pa parafinë apo vajra mineralë. Ideal janë përbërësit si acidi salicilik dhe niacinamide, që ndihmojnë në kontrollin e yndyrës.
Për lëkurë të thatë kërkohen vajra me bazë bimore, si vaji i jojobës ose bajames, që hidratojnë dhe forcojnë barrierën e lëkurës. Përbërës si acidi hialuronik, glicerina dhe ceramidet janë thelbësorë. Për lëkurë të ndjeshme shmang alkoolin, acidet agresive dhe aromatizuesit. Kërko produkte me aloe vera, kamomil ose panthenol, që kanë veprim qetësues. Për lëkurë mikse përdor krem të lehtë hidratues gjatë ditës dhe një krem ushqyes në mbrëmje që nuk ngarkon zonat e yndyrshme. Mos e mbingarko rutinën me shumë produkte njëherësh. Bëj patch test para çdo produkti të ri. Vendos një sasi të vogël në pjesën e brendshme të parakrahut dhe vëzhgoje për 24-48 orë. Kujdes nga ekspozimi i tepërt në diell.