Kuvendi i Kosovës nesër do të mblidhet për herën e 24-t, në përpjekje për konstituimin e këtij institucioni.
Kjo seancë do të mbahet nga ora 10:30, saktësisht 48 orë pas asaj të 29 majit.
Edhe nesër do të votohet për komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan për të 23-ën herë radhazi të konstituojnë përbërjen e 9-të parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Dështimi e ka zhytur vendin në ngërç politik duke e lënë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.
Dështimet e njëpasnjëshme po ndodhin pavarësisht thirrjeve nga brenda dhe jashtë vendit për të lëvizur përpara me krijimin e institucioneve. Sot, ligjvënësit refuzuan për të trembëdhjetën herë rresht të formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Nga opozita, u dërgua në Kushtetuese çështja e votimit të fshehtë që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari. Kjo pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime të merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post.
Ato thonë se nuk është kushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë e të marrë një vendim”.