E ftuar në këtë episod të “Just Business” me Jonida Aliçkolli ka qenë Arjodita Mustali. Ajo është një nga sipërmarrëset e para që ka një ndikim konkret në rritjen e iniciativave të reja të biznesit startup, teknologjive të reja dhe zhvillimin e industrisë BPO në Shqipëri. Arjodita është autore e librit “Udhëheqëset Femra të Nesërmes”, një përmbajtje biografike. Mesazhi që u përçohet të rinjve është pikërisht rritja personale dhe motivimi për të arritur qëllimet e vendosura. Ajo është gjithashtu në proces të botimit të një serie librash mbi zhvillimin e biznesit dhe sipërmarrësinë.
Arjodita ka frymëzuar shumë sipërmarrëse për të rritur dhe zhvilluar një ide dhe biznes startup, veçanërisht drejt BPO dhe globalizimit dhe dixhitalizimit. Arjodita ka mbështetur rritjen dhe iniciativat e grave përmes mentorimit, trajnimit dhe i ka frymëzuar ato të udhëheqin me shembull. Unit Center, Vigan Group, Best Training & Consulting dhe Shoqata e Biznesit Shqiptar janë disa nga bizneset dhe organizatat që kanë ndikuar në promovimin e të rinjve drejt iniciativave teknologjike, startup-eve dhe orientimit drejt industrisë BPO.
Nëse rikthehemi pas në fillimet e karrierës së saj, a ka nisur gjithçka nga një ‘jo’ për të?
Unë emrin e kam pasur ‘jo’ edhe ‘mos’ deri vonë. Jam rritur si fëmijë në një familje ku çdo gjë që kisha dëshirë të bëja ishte ‘jo’. Ku çdokush ishte më i mirë sesa unë. Nuk kishte asnjë lloj aprovimi për gjërat që kisha dëshirë të bëja. Këtë nuk po e bëj sterr, siç e themi ne në Shkodër, por kështu ka qenë. Ndoshta kështu ka qenë për pjesën më të madhe, ama unë jo-në e njoh shumë mirë. Kjo jo-ja për mua është kthyer në një forcë edhe në trajnimet e mëdhaja dhe të shumta që kam bërë. 99 jo, një është po, mjafton.
A ka ndodhur që gjatë rrugëtimit të saj të ketë pasur vështirësi dhe mosmirënjohje?
Unë mendoj që kujt nuk i ka ndodhur kjo. Gjatë jetës sime kam kuptuar që edhe mosmirënjohja është pjesë e leksioneve shumë të mëdha që ne kemi për të mësuar. Unë jam mësuar duke i shtypur ëndrrat e mia, dëshirat e mia, ndoshta nga mënyra se si jam rritur dhe kjo ka bërë që duke u rritur e duke fituar fuqitë e mia, liritë e mia ekonomike, që ne shumë herë i ngatarrojmë me pushtetin, ama është i nevojshëm se gjendja ekonomike të lejon të bësh atë që do. Aty kam kuptuar që unë kam filluar të ndihmoj më shumë, të jap më shumë dhe mësimi i madh që kam marr është se unë i kam mësuar vetë njerëzit, ose i kam llastuar, duke i dhënë diçka pa e merituar. Pastaj, ato njerëz janë kthyer në ato që kanë menduar se atë gjë e kanë merituar dhe e kanë marrë për të mirëqenë. Pjesa më e madhe e kanë çuar deri në mosmirënjohje, por unë nuk besoj se njerëzit janë të këqinj. Unë besoj se njerëzit janë të mirë, por bëjnë atë që ju intereson në një moment të caktuar.
A kanë ardhur këto vështirësi në punë dhe në jetë për faktin se është grua?
Po, janë për faktin jo që je grua. Janë e para se ne kemi një mentalitet që për këdo që ka ambicie në vendin tonë, njerëzit nga mosbesimi thonë ‘dikush e bëri’. Pra, sesbën të ka bërë dikush. Kur je grua, në një mënyrë automatike të ka bërë dikush.