Nga java e ardhshme, sipërmarrjet mund të aplikojnë pranë bankave të nivelit të dytë për të përfituar nga “Garancia e dytë sovrane”, në vlerë 15 miliardë lekë e shpallur nga qeveria në situatën e krijuar nga COVID-19. Ky instrument që synon të jetë burim për kreditimin e kompanive për kapital qarkullues dhe investime, ofron mundësi financimi me afat shlyerjeje deri në 5 vjet. Gjithashtu mundëson hapësirën për të mos paguar principalin për një periudhë jo më pak se 6 muaj.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se nga “Garancia e dytë sovrane” përfitojnë sipërmarrjet me historik pozitiv të marrëdhënies kreditore. Denaj tha se “Qeveria garanton 60% të principalit të çdo huaje, që bankat do të lëvrojnë për biznesin, sipas eksperiencave më të mira ndërkombëtare”. Ministrja ftoi bizneset, të mobilizojnë fondet e nevojshme për kapërcimin e efekteve të pandemisë e për të hedhur hapat drejt rimëkëmbjes së aktivitetit dhe ekonomisë.