Aktualitet

Nga sot lehtësimi i masave dhe hapja e bizneseve të tjera

Në Shqipëri ku janë të paktën 868 raste me koronavirus, java nisi me lehtësime të reja të masave anti-koronavirus. Sot u rihapën klinikat dentare, parukeritë, berberët e dyqanet në qendrat tregtare. Gjithashtu është zgjeruar harta e zonave të sigurta, pa raste me COVID-19 duke përfshirë pjesën dërrmuese të vendit.

Me përjashtim të Tiranës, Durrësit, Fierit, Shkodrës, Kurbinit e Krujës që mbeten zona të kuqe, në qarqet e tjera zgjerohet fasha orare e lëvizjes deri në 21:00 të mbrëmjes. Gjithashtu mundësohet qarkullimi ndërqytetas me automjet privat. Nga sot, nis dhe karantinimi në shtëpi për të riatdhesuarit.