Një moment i pazakontë dhe plot humor ka bërë xhiron e rrjetit gjatë festivalit Coachella, ku Lewis Capaldi u përfshi pa dashje në një situatë virale për shkak të një ngatërrese identiteti.
Gjithçka nisi nga një video ku Kim Kardashian shihej pranë pilotit të Formula 1, Lewis Hamilton. Por në përshkrimin e postimit në rrjetin social X, autori gabimisht e identifikoi Hamiltonin si Capaldi, duke krijuar menjëherë konfuzion te ndjekësit.
Videoja u përhap me shpejtësi, duke marrë miliona shikime dhe duke ndezur rrjetin me reagime plot humor.
Përdoruesit nisën të bëjnë shaka me një “lidhje” imagjinare mes Kardashian dhe Capaldit, duke krijuar meme dhe montazhe që u bënë virale brenda pak orësh.
Vetë këngëtari nuk e la pa komentuar situatën. Me stilin e tij tipik ironik, ai e rishpërndau postimin dhe shkroi:
Wow, njerëz, nuk është në rregull të na shkelni privatësinë kështu
-duke e kthyer gjithë situatën në një batutë që u pëlqye nga fansat.
Edhe pse disa përdorues e morën seriozisht në fillim, reagimi i Capaldit sqaroi gjithçka, ndërsa profili që publikoi videon pranoi më pas gabimin, duke theksuar se bëhej fjalë thjesht për një lapsus që përfundoi në një nga momentet më virale të ditës.