Tech Top Tech - News

Një laptop i rrumbullakët/ Po, e ke dëgjuar saktë! Ja çfarë duhet të dini…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Kjo është ndoshta ideja më e çmendur që ka shpërthyer këtë javë në internet: një laptop i rrumbullakët. Po, e ke dëgjuar saktë — ekran i rrumbullakët, tastierë e harkuar, dhe një dizajn që duket sikur Steve Jobs është rikthyer nga e ardhmja vetëm për të thënë: “le ta bëjmë kompjuterin… rrethor.”

Koncepti u bë viral brenda orësh. Një pjesë e njerëzve u mahnitën: “Wow, më në fund diçka ndryshe!” — ndërsa të tjerë pyesnin: “Si dreqin do shkruaj në këtë tastierë që duket si timoni i anijes?”  Ideja prish komplet rregullat e formës klasike të laptopëve, duke e kthyer gjithë përvojën në një lloj eksperimenti mes artit dhe teknologjisë.

Ekrani rrethor do të thotë se çdo dokument, video apo lojë do të ketë një pamje krejt tjetër — më shumë “Instagram aesthetic”, më pak “Excel spreadsheet”. Por hajde përdore tani Word-in në formë piceje… ose provo të shohësh Netflix pa i prerë qoshet e filmit.

Sigurisht, ky laptop nuk ekziston (ende). Është thjesht një koncept dizajni që ka ndezur imagjinatën e internetit. Po nëse je i fiksuar pas ekraneve “jo normale”, disa kompani kanë tentuar më herët me gjëra po aq të çuditshme. Për shembull, Acer Predator 21 X kishte ekran të lakuar, një bishë gaming-u që dukej si televizor i palosshëm mbi tastierë. Dhe së fundmi, Lenovo ThinkBook Plus doli me ekran të rrotullueshëm, që zgjatet vertikalisht si periskop i laptopit – perfekt për ata që duan më shumë rrjeshta kodi ose më shumë hapësirë për ego-n e tyre profesionale.

Pra, edhe pse laptopi rrethor akoma s’mund të blihet, ka ndezur një pyetje serioze: ndoshta s’na duhet më një ekran më i madh… por një rreth magjik ku kreativiteti s’ka qoshe.