Një aksident rrugor ndodhi në orët e para të mëngjesit në fshatin Poro në Vlorë ku një 65-vjeçar duke drejtuar motomjetin doli nga rruga e për fat të keq humbi jetën në vendngjarje. Në njoftimin zyrtar thuhet se grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti rrugor, më i fundit që përgjak rrugët tona.
Njoftim i Policisë:
Paraprak/Sot, rreth orës 01:30, në rrugën e fshatit Poro, Vlorë, dyshohet se shtetasi M. Ll., 65 vjeç, banues në fshatin Bishan, duke drejtuar motomjetin, ka dalë nga rruga dhe si pasojë, ka humbur jetën në vendngjarje. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti rrugor. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkaq, u rëndua bilanci nga aksidenti në aksin Krumë-Golaj, në Has ku ndërroi jetë edhe pasagjeri. Aksidenti tragjik ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:50. Policia e Kukësit njoftoi se fillimisht gjeti vdekjen njëri nga drejtuesit e automjeteve Benz. Më pas, mëngjesin e sotëm u mësua se ndërroi jetë edhe pasagjeri, njëri nga dy personat e plagosur nga përplasja.
Gjatë muajit korrik 2025 u regjistruan 131 aksidente, në të cilat humbën jetën dhe u plagosën rëndë 194 persona, pjesa më e madhe e të cilëve janë burra. Edhe pse në dukje shifra të lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të përpunuara të INSTAT, ka më pak aksidente dhe pasoja. Në korrik 2024 u regjistruan 146 aksidente, 16% më shumë se korriku 2025, me 191 persona, të vdekur dhe të plagosur. INSTAT, në të dhënat e saj, nuk e përcakton numrin e saktë të të vdekurve apo të plagosurve.
Situata me numër aksidentesh në rënie paraqitet edhe për periudhën e 7 muajve të parë të këtij viti. Nga janari në korrik 2025 ndodhën 767 përplasje, me 1077 viktima dhe të plagosur, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar u regjistruan 16% më shumë, 913 aksidente me 1242 viktima dhe të plagosur.
Nëse do të bëjmë një krahasim shifrash të 5 viteve të fundit vetëm për muajin korrik, gjithmonë sipas të dhënave të përpunuara nga INSTAT, shohim që aksidentet kanë ulje dhe ngritje. Në korrik 2021 aksidentet janë thuajsë në të njejtin nivel me korrikun e këtij viti. Kurba duket relativisht në ulje në korrik 2022 dhe 2023, dhe një tendencë në rritje në korrik 2023 dhe 2024.
Shtimi i aksidenteve në korrik në këto 2 vite rritet edhe me bumin turistik që ndodhi në vitet e fundit, rrjedhimisht me numër shumë më të lartë të makinave në qarkullim, probabilitet për rritje të aksidenteve.
Ditët e javës me numrin më të lartë të aksidenteve në korrik 2025 ishin e hëna dhe e marta, për t’u rikthyer me numër më të lartë në fundjavë, gjatë të dielave. Pjesa më e madhe e aksidenteve ndodhën, mes orës 08:00 deri në 12:00 në mesditë, ndjekur nga pasditja 14:00 me 17:00 dhe në darkë, në intervalin nga ora 19:00 deri në mesnatë.