Tech Top Tech - News

Nuk dëshiron të paguash për Spotify Premium?! Në “Top Tech” kemi një lajm të mirë për ty…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Spotify

Më në fund një lajm që do t’i bëjë të lumtur ata që s’duan të paguajnë për Spotify Premium. Pas prezantimit të lossless streaming për abonentët me pagesë, Spotify po sjell një përmirësim edhe për përdoruesit, falas: tani mund të zgjedhin dhe të luajnë çdo këngë që duan. Jo më vetëm “shuffle” me disa “skipe” të kufizuara.

Kjo vjen përmes tre opsioneve të reja: Pick & Play, Search & Play, dhe Share & Play. Me Pick & Play thjesht zgjedh këngën dhe e luan. Me Search & Play, kërkon një këngë specifike dhe e dëgjon direkt. Ndërsa Share & Play lidhet me rrjetet sociale – p.sh. kur sheh një këngë të ndarë në Instagram Story, mund ta hapësh direkt në Spotify dhe ta dëgjosh.

Por, ka një “por”. Përdoruesit falas do të kenë një kufi të ashtuquajtur “on-demand time” çdo ditë. Pra, mund të zgjedhësh këngët që do, por pasi kalon limitin, kthehesh te sistemi i vjetër me “skip-e” të kufizuara. Spotify nuk ka treguar ende se sa është ky limit, por Premium mbetet pa këto kufizime.

Arsyeja pse ndodh kjo është e thjeshtë: reklamat. Spotify ka mbi 696 milion përdorues aktivë, prej të cilëve 433 milion janë falas, dhe kompania po përpiqet të rrisë të ardhurat nga reklamat. Sa më shumë të rrinë njerëzit në aplikacion, aq më shumë shanse për klikime dhe të ardhura.

Në fund të ditës, përdoruesit falas marrin një përvojë shumë më të afërt me Premium – por me reklama dhe kufi kohe. Mjafton për të dëgjuar këngët e preferuara dhe për të treguar shokëve se “po, e kam Spotify, s’kam pse të shkarkoj nga YouTube”. Edhe pse, ta themi troç, tek ne shumë veta e kanë Spotify falas thjesht për playliste – dhe për pjesën tjetër, përdorin YouTube në televizor me zë sa të zgjohet gjithë pallati.