Aktori legjendar i Hollivudit, Eddie Murphy, ka pranuar se disa nga “jo”-të e tij në fillim të karrierës rezultuan të ishin mes projekteve më të mëdha të kinemasë.
Gjatë promovimit të dokumentarit të ri në Netflix, “Being Eddie”, Murphy tha në një intervistë për AP se ka tre filma për të cilët është më shumë i penduar që i ka refuzuar.
Ghostbusters, patjetër. Duhet ta kisha bërë Ghostbusters. Nuk e bëra atë, nuk e bëra as Rush Hour. Oh, dhe Who Framed Roger Rabbit. Këto janë tre filmat e mëdhenj për të cilët pendohem që nuk i kam bërë
-u shpreh aktori.
Ai shtoi se, edhe pse këto projekte u kthyen në superhite botërore, nuk është nga ata njerëz që mbeten të bllokuar te mundësitë e humbura, pasi karriera e tij ka qenë gjithsesi e mbushur me suksese.
Dokumentari “Being Eddie”, i publikuar në Netflix më 12 nëntor, sjell jo vetëm reflektime mbi rolet që ai nuk mori, por edhe mbi periudhat e vështira të jetës dhe karrierës së tij.
Një nga pikat më emocionale të filmit është rrëfimi i Murphyt për ndjenjën e tradhtisë nga ekipi i “Saturday Night Live”, emisioni ku ai u bë i famshëm në fillim të viteve ’80.
Isha i lënduar. Është sikur të të sulmojë shkolla jote e mesme
-thotë ai në dokumentar, duke iu referuar humorit dhe skeçeve që e kishin në shënjestër pas largimit të tij.
Murphy ishte pjesë e kastit të SNL nga viti 1980 deri në vitin 1984, dhe dokumentari ofron një vështrim të rrallë në ngritjet, uljet dhe momentet vendimtare që formësuan një nga figurat më ikonike të komedisë amerikane.