Aktualitet

Nuk ka ndryshim të masës së sigurisë, Apeli lë në burg Ilir Metën!

Gjykata e Apelit la në burg ish-presidentin Ilir Meta, i cili në ankimoi vendimin e Shkallës së Parë që i la në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg”, me arsyetimin se pozita e tij është rënduar dhe ekziston rreziku për prishje provash apo intimidim të dëshmitarëve.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 08.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 194 akti, datë 01.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit I.M, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 546, datë 13.08.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësimi i masës së sigurimit personal të “Arrestit në burg”, për shtetasin I.M, akuzuar për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 546, datë 13.08.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

U shpall në Tiranë, më datë 08.09.2025, thuhet në vendimin e gjykatës.

Në ankimim, Meta dhe mbrojtja e tij thonë se këto janë alibi, pasi hetimet u mbyllën dhe dëshmitarët kanë dhënë deklarimet, shumica prej tyre tashmë të larguar nga Partia e Lirisë e të lidhur me Partinë Socialiste. Ish-presidenti akuzon gjyqtarin Erjon Çela për paragjykim e cënim të prezumimit të pafajësisë, duke e quajtur vendimin një “precedent të rrezikshëm”.

Ilir Meta akuzohet për tri akuza nga SPAK-u:

“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.