Rajoni

Numërimi i votave në Kosovë, në Mitrovicën e Jugut kryeson kandidati i LVV-së

Në ueb-faqen e KQZ-së kanë nisur që të publikohen rezultatet e para preliminare për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që u zhvillua në 18 komuna.

Sipas të dhënave, dalja në zgjedhje ishte 32 për qind, më e ulët se rundin e parë kur votuan 40.10 për qind e votuesve.

Korrespondentja e Top Channel në Kosovë raporton se me 67 nga 105 kutitë e numëruara, në Mitrovicë të Jugut prin kandidati i LVV-së, Faton Pecia.

Në Prishtinë prin Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me 80% të kutive të numëruara.

Në Prizren prin PDK-ja me Shqir Totajn, kur janë numëruar 215 nga 236 kutive të votimit.

Policia e Kosovës, zbatoi me sukses planin operacional të paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor-balotazhi 2025, i cili kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, në të gjitha komunat e përfshira në balotazh.

Vlerësuar në aspektin e sigurisë, procesi zgjedhor deri në këtë fazë ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze.

Angazhimi i zyrtarëve policorë në zbatim të planit policor, si dhe bashkëpunimi e koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa incidente madhore që do të kishin penguar apo cenuar procesin zgjedhor, raporton korrespondentja e Top Channel në Kosovë, Leonita Bajrami.

Një ndër qëllimet e planit policor, ka qenë inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar dy (2) raste penale, një në Fushë Kosovë “Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, ku janë arrestuar dy persona dhe tjetri në Klinë “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, ku është arrestuar një person. Personat e arrestuar me vendim të prokurorëve kompetent janë dërguar në mbajtje.

Po ashtu, janë trajtuar rreth pesëdhjetë e një (51) informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, për të cilat nga prokurorët kompetent është vlerësuar se nuk ka pasur elemente apo dëshmi që ndërlidhen me vepra penale dhe janë evidentuar vetëm si informacione.

Policia e Kosovës vlerëson se plani policor është realizuar me sukses si rezultat i planifikimit të mirë operacional dhe punës së zyrtarëve policorë, si dhe bashkëpunimit të duhur ndërinstitucional.