Bota Botë e Çuditshme

Nxënësit ndalohen të luajnë në fushën e re, fqinjët shqetësohen nga zhurma e bilbilit të arbitrit!

Në vitin 2023, autoritetet lokale inauguruan një fushë futbolli, e cila kushtoi 700 mijë paund dhe u certifikua edhe nga FIFA. Megjithatë, tashmë nxënësit e shkollës Cornwallis Academy në Maidstone, Kent janë ndaluar të luajnë aty. Fqinjët u ankuan për zhurmat e shkaktuara nga bilbilat e arbitrave. Fusha me bar artificial, që u hap në qershor 2023, është bllokuar që prej muajit gusht. Komuna kishte miratuar ndërtimin me kusht që të mos përdorej bilbili jashtë orëve shkollore, por shkolla nuk e zbatoi rregullin dhe fqinjët filluan të ankohen për zhurmën e vazhdueshme.

Banorët lokalë shprehen se ndiejnë shqetësime nga zhurma e ulërimave, thirrjeve dhe përplasjes së topave për orë të tëra. Një fqinj tha se e mban gjithmonë dritaren të mbyllur, pasi zhurma dëgjohet në të gjitha dhomat e shtëpisë. Komuna ka kërcënuar me masa ndëshkimore për shkeljen e kushteve të lejes, duke ndaluar plotësisht përdorimin e fushës, edhe gjatë orëve shkollore. Shkolla është detyruar të dorëzojë edhe një studim të ri zhurme që tregon se niveli i saj është i pranueshëm, por fqinjët dhe zyrtarët mjedisorë e kundërshtojnë këtë. Në mbledhjen e ardhshme të komisionit të planifikimit pritet të vendoset nëse ndalimi i bilbilave do të hiqet.