Aktualitet

LAJM I FUNDIT/ Aksidenti fatal te rrethrrotullimi i TEG-ut, reagon policia: Në betoniere dy persona, ende të paidentifikuar!

Një aksident i rëndë është regjistruar ditën e sotme në autostradën Tiranë – Elbasan, te rrethrrotullimi i TEG-ut, ku një betoniere ka përplasur një autoveturë dhe ka përfunduar në nënkalimin e aksit Tiranë-Elbasan.   Mësohet se 1 person ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa janë plagosur drejtuesi i një mjeti tip ‘Audi’ me të cilën mjeti i tonazhit të rëndë është përplasur para se të rrëzohej nga lartësia dhe një tjetër person që udhëtonte me betonieren. Sipas Policisë ai është në gjëndje të rëndë.

Blutë ende nuk kanë përcaktuar se cili nga dy personat ishte drejtuesi i betonieres. Ndërkohë drejtuesi i autoveturës ndodhet gjithashtu në spital dhe sipas informacioneve paraprake është në gjendje stabël. Si shkak i aksidentit, dyshohet shpejtësia  dhe një defekt në sistemin e frenimit të betonieres. Qarkullimi është bllokuar në aksin kryesor rrugor si dhe në nyjet që lidhen me rrethrrotullimin duke shkaktuar trafik të rënduar.

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 16:20, te rrethrrotullimi i TEG-ut, një kamion (pompë betoni) është përplasur me një automjet.

Si pasojë e përplasjes, kamioni (pompë betoni) ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.

Për pasojë, njëri prej personave që udhëtonte në kamion (pompë betoni) dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dy personat që ndodheshin në kamion (pompë betoni) janë ende të paidentifikuar dhe po punohet për përcaktimin nëse personi që ka humbur jetën në vendngjarje ishte drejtuesi i kamionit apo ishte personi që ndodhet në spital.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.