Aktualitet

Padia kundër prokurorit të SPAK/ Veliaj mbërrin në Gjykatën Administrative, kërkon transmetim live të procesit!

Sot në Gjykatën Administrative po shqyrtohet padia e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado, të cilin Veliaj e akuzon për emërim në shkelje të ligjit.

Sipas pretendimeve të Veliajt, Dado është emëruar prokuror në vitin 2008 pa përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe pa përmbushur kushtet ligjore për ushtrimin e funksionit.

Vetë kryebashkiaku ishte i pranishëm në seancë, i shoqëruar edhe nga aktorët Robert Ndrenika dhe Gaz Paja.

Në sallën e gjyqit, avokati i Veliajt dhe përfaqësues të tij kërkuan transparencë të plotë të procesit, përfshirë transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave.

Avokati Plarent Ndreca u shpreh se institucione si Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) po ndjekin një qasje procedurale që, sipas tij, synon të pengojë shqyrtimin në themel të çështjes dhe zbardhjen e së vërtetës juridike.

Në vend që të kërkojë shqyrtimin në themel të çështjes, KLP po përpiqet të pengojë vetë procesin dhe të mbyllë një problem me pasoja të rënda për shtetin e së drejtës, deklaroi Ndreca.

Nga ana tjetër, pala mbrojtëse e prokurorit Ols Dado kërkoi rrëzimin e padisë, duke theksuar se procesi penal ku Veliaj është i pandehur nuk ndikohet nga kjo çështje, pasi në hetim është i përfshirë edhe një tjetër prokuror i SPAK, Altin Dumani.

Veliaj ka kërkuar gjithashtu praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë në seancat e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e transparencës në këtë proces gjyqësor.