Bota

Paga deri në 10 mijë euro/Shteti më i pasur i Europës po kërkon punëtorë, jeni gati?

Lihtenshtejni, shteti i vogël i vendosur mes Zvicrës dhe Austrisë, po kërkon punëtorë nga vendet e Europës përmes rrjetit EURES (Shërbimi Europian i Punësimit). Me të ardhurat për frymë më të larta në botë, vendi po tërheq vëmendjen për pagat e larta dhe kushtet e favorshme të punës. Pagat mesatare variojnë nga 2.600 euro në muaj për punët bazike deri në 7.200-10.000 euro për pozicionet e kualifikuara. Në disa raste, kompanitë ofrojnë edhe akomodim falas për punonjësit. Pozicionet përfshijnë profesione të ndryshme, nga punonjës pastrimi dhe parukierë, deri te punëtorë logjistike dhe profesionistë të sektorëve teknikë e financiarë.

Kushti kryesor është njohja e gjuhës gjermane, megjithëse nuk është detyrim i plotë. Si anëtar i Zonës Ekonomike Europiane (EEA), Lihtenshtejni kërkon leje qëndrimi, e cila mund të lëshohet për periudha nga 12 muaj deri në 10 vjet, në varësi të kontratës së punës. Një nga arsyet që e bëjnë këtë vend kaq tërheqës është sistemi tatimor shumë i favorshëm, që stimulon investimet dhe shmang tatimin e dyfishtë.

Ndërkaq, vitin e kaluar, në vendin tonë paga mesatare në sektorin privat ishte 22.7% më e ulët në se në sektorin shtetëror, duke thelluar më tej diferencën në krahasim me 2023-shin, prej 19.9% dhe më 2022-shin me 16.3%. Më 2024-ën, punonjësit në sektorin publik morën mesatarisht 20.8 mijë lekë në muaj më shumë se të punësuarit në privat, në vitin 2022 kjo diferencë ishte 16.3 mijë lekë. Të dhënat zyrtare të INSTAT-it, tregojnë se paga mesatare mujore bruto në sektorin shtetëror arriti 92,069 lekë më 2024-ën ose rreth 12.4% më shumë se në vitin 2023. Në sektorin privat, paga bruto mujore shënoi 71,179 lekë, me rritje vjetore 8.5% më shumë se në vitin 2023.