Bota Lifestyle

Pak reflektim si zgjidhje për drejtuesit e mbingarkuar!

Çfarë do të ndodhte nëse drejtuesit e korporatave do të ndaleshin për një moment, jo vetëm për të reflektuar mbi objektivat që duhet të përmbushin, por edhe mbi atë se kush duan të jenë si liderë? Mund të duket paksa i tepërt, por një studim i fundit nga McKinsey tregon se reflektimi mund të ndihmojë në përballimin e një problemi gjithnjë e më të pranishëm në botën e menaxhimit: lodhja e thellë nga drejtimi i pandërprerë dhe presionet e vazhdueshme.

Reflektimi ose analiza personale është një mënyrë efektive për të zhvilluar aftësi thelbësore njerëzore si empatia, bujaria, ndjeshmëria e përshtatshmëria, cilësi që ndihmojnë në shmangien e lodhjes emocionale dhe ruajtjen e ekuilibrit mendor. Nxit guximin, mbështet një mendësi të qëndrueshme drejtimi, si dhe forcon performancën afatgjatë.

McKinsey thekson se “organizatat që investojnë në kapitalin njerëzor kanë 1.5 herë më shumë gjasa të ruajnë standarde të larta”.

Gjithçka ka të bëjë me mënyrën se si drejtuesit përballen me të papriturat dhe si arrijnë të përfshijnë në këtë proces njerëzit që udhëheqin, thotë Dana Maor, partnere e lartë në McKinsey e një nga autorët që mbështet këtë kërkim.

Libri, me titull “The Journey of Leadership: How CEOs Learn to Lead from the Inside Out”, përqendrohet në zhvillimin personal dhe profesional të drejtuesve përballë sfidave moderne të lidershipit. Përmes rrëfimeve konkrete e strategjive të zbatuara, autorët, të gjithë partnerë në McKinsey, promovojnë një model udhëheqjeje të orientuar nga njeriu, ku përulësia, vetëdija dhe mësimi i vazhdueshëm janë themeli i suksesit në një mjedis të ndryshueshëm. Ata theksojnë rëndësinë e veprimeve të vogla të përditshme që forcojnë qëllimin dhe ndihmojnë drejtuesit të ruajnë qartësinë e motivimin.

Ndërsa presioni mbi drejtuesit rritet nga dita në ditë, qoftë përmes vendimeve të vështira apo pasojave të objektivave të papërmbushura, lodhja e lidershipit është kthyer në dukuri të zakonshme. Vetëm gjatë vitit të kaluar, në SHBA dhanë dorëheqjen 2,221 CEO, një rritje me 16%, ndërsa qëndrueshmëria mesatare në drejtimin e kompanive Fortune ra nga 6 në 5 vjet.

Në këtë sfond, gjithnjë e më shumë ekspertë e cilësojnë lidershipin e përqendruar te njeriu si domosdoshmëri, veçanërisht në kohë të pasigurta. Ata sugjerojnë që vetë-reflektimi duhet të jetë hapi i parë: drejtuesit të kërkojnë reagime të sinqerta nga bashkëpunëtorë të besuar e të bëjnë pyetje thelbësore për veten:

Si po e menaxhoj kohën?

Çfarë më motivon?

Si mund të rris performancën?

Si mund të frymëzoj ekipin dhe të sjell ndikim pozitiv?

McKinsey thekson edhe pse se shumica e drejtuesve të sotëm nuk janë të përgatitur për sfidat që i presin në krye të organizatës. Sipas tyre, 83% e drejtuesve në mbarë botën ndihen të papërgatitur për rolet më të larta, pasi strategjia dhe inteligjenca nuk mjaftojnë më.

Aftësitë njerëzore, si ndjeshmëria, komunikimi i hapur, përulësia dhe ndërtimi i besimit, janë thelbësore për t’u lidhur me ekipet e për të nxitur një kulturë bashkëpunimi dhe mësimi. Gatishmëria e një drejtuesi për të treguar ndjeshmëri apo për të pranuar gabime, krijon besim dhe kontribuon në ndërtimin e një mjedisi të shëndetshëm organizativ.

Udhëheqësit duhet të ndërtojnë një ekuilibër mes cilësive që shpesh perceptohen “të kundërta”, si guximi e përulësia, vetëbesimi dhe fleksibiliteti. Ata që arrijnë këtë ekuilibër kuptojnë se bujaria dhe ndjeshmëria krijojnë një klimë pune ku të gjithë ndihen të vlerësuar e të motivuar.

Për më tepër, liderët kuptojnë se kujdesi për të tjerët fillon me kujdesin për veten. Përfitimet janë të qarta: drejtuesit janë më të aftë të frymëzojnë ekipet, të sigurojnë mirëqenie e të arrijnë rezultate më të mira. Puna e brendshme për të zhvilluar aftësitë njerëzore i ndihmon drejtuesit të ndërtojnë organizata më të shëndetshme e më të qëndrueshme, ku njerëzit dhe rezultatet ecin paralelisht. / shqip.al