Aktualitet

Para zgjedhjeve, Banka e Shqipërisë rifilloi blerjet e valutës për të ndalur rënien e Euros!

Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë përsëri në tregun valutor në muajin maj, për të frenuar valën e re të rënies të kursit të këmbimit Euro-Lek. Më 6 maj, ky kurs zbriti në një minimum të ri historik, në nivelin e 97.99 lekëve. Burime nga tregu financiar bëjnë të ditur se që më 7 maj, Banka vendosi të ndërhyjë duke blerë Euro në treg, për të mos lejuar një rënie të mëtejshme të kursit me Lekun. Shumat e blera nuk bëhen publike e gjithmonë publikohen me kohëvonesë, në deklaratat për ndërhyrjet në tregun valutor, në fund të tremujorit pasardhës.

Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu afërsisht 933 milion euro në tregun e brendshëm valutor, duke arritur vlerën më të lartë historike. Sasia e valutës së blerë u rrit me 249% krahasuar me një vit më parë. Blerjet e planifikuara, në funksion të rritjes së rezervës valutore, në fakt përbënin vetëm një pakicë të shumës së përgjithshme të blerë. Vitin e kaluar arritën 283.8 milion euro, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, blerjet direkte, me synim moslejimin e rënies së mëtejshme të kursit Euro-Lek, kapën shumën rekord 649 milion euro. Për herë të parë vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë ndërmori një ndërhyrje afatgjatë në tregun valutor, me objektiv moslejimin e forcimit të mëtejshëm të monedhës vendase.

Blerjet direkte nisën në muajin maj dhe vazhduan deri në muajin dhjetor, me ndërprerje të përkohshme në shtator. Muaji me vlerën më të lartë të blerjeve ishte tetori kur Banka Qendrore bleu 169.4 milion euro në tregun e brendshëm valutor.

Kursi mesatar i këmbimit Euro-Lek, vitin e kaluar pësoi rënie me 7.4% krahasuar me 2023-shin. Gjatë nëntorit 2024, kursi i euros regjistroi nivelin më të ulët historik, në vlerën e 98.11 lekëve, si dhe e mbylli vitin 2024 shumë afër kësaj vlere.

Në mungesë të ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, rënia e Euros në kursin e këmbimit me lekun do të kishte qenë edhe më e madhe. Ndërhyrjet në kursin e këmbimit, Banka e Shqipërisë i ka argumentuar me ndjekjen e objektivit të saj të inflacionit. Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit me Euron ushtron presione në ulje mbi inflacionin e importuar në ekonomi. Prej më shumë se një viti, inflacioni ndodhet poshtë objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë.

Një situatë e tillë ka motivuar edhe ndërhyrjet për të frenuar rënien e mëtejshme të kursit Euro-Lek, megjithëse në parim Banka e Shqipërisë ka theksuar se ngelet e përkushtuar ndaj regjimit të lirë të kursit të këmbimit valutor.

Për vitin 2025, Banka e Shqipërisë ka parashikuar gjithsej 22 ankande të blerjes së valutës, mes muajve shkurt e dhjetor. Shuma e parashikuar e blerjeve parashikohet në intervalin midis 270 dhe 350 milion eurove. Megjithatë, kjo shumë nuk përfshin ndërhyrje të mundshme direkte në kursin e këmbimit, që nuk mund të parashikohen./Monitor