Paris Jackson ka ndezur rrjetin pasi ndau një moment të rrallë me nënën e saj, Debbie Rowe. 27-vjeçarja postoi në Instagram dy fotografi të ngrohta ku shfaqet pranë së ëmës, të buzëqeshura dhe të qeta, duke i shoqëruar thjesht me një fjalë: “Së fundmi”.
Paris lindi në vitin 1998 nga martesa e Michael Jackson me Rowe, një lidhje që në atë kohë u komentua gjerësisht nga media. Çifti pati edhe një djalë, Prince Michael Jackson I, përpara se të divorcohej në vitin 1999.
Më vonë, në vitin 2002, erdhi në jetë edhe Prince Michael “Bigi” Jackson II përmes një surrogateje.
Pas divorcit, Rowe hoqi dorë nga kujdestaria e fëmijëve dhe Paris u rrit kryesisht nga i ati. Ajo ka treguar më herët se, si fëmijë, nuk kishte një marrëdhënie aktive me nënën dhe se ribashkimi i tyre ndodhi gradualisht gjatë adoleshencës.
Në intervista publike, Paris e ka përshkruar raportin me Rowe më shumë si miqësor dhe të qetë sesa tradicional nënë-bijë.
Vdekja e papritur e Michael Jackson në vitin 2009 e gjeti Parisin vetëm 11 vjeç. Ajo dhe vëllezërit e saj u zhvendosën për të jetuar me gjyshen, Katherine Jackson, ndërsa lidhja me nënën u rindërtua me kalimin e viteve.
Një moment i rëndësishëm për to ishte viti 2016, kur Rowe u diagnostikua me kancer dhe Paris qëndroi pranë saj gjatë trajtimit.
Postimi i fundit vjen në një periudhë delikate për Parisin, e cila është përfshirë në një përballje ligjore me ekzekutorët e pasurisë së të atit, John Branca dhe John McClain.
Sipas dokumenteve gjyqësore të raportuara nga mediat, bëhet fjalë për tarifa ligjore dhe menaxhimin e pasurisë së Michael Jackson, me Parisin që kërkon më shumë transparencë dhe llogaridhënie.
Pavarësisht tensioneve në planin ligjor, fotot e publikuara tregojnë një Paris të qetë dhe të buzëqeshur, e mbështetur te familja dhe e vendosur të mbrojë trashëgiminë e babait të saj. Një imazh që për shumë fansa simbolizon pajtim, forcë dhe një kapitull të ri në jetën e saj.