Ministri i Jashtëm i Francës tha se Parisi “e dënon shumë ashpër” fushatën e re ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës. Deklaratat vijnë një ditë pasi ushtria izraelite deklaroi se operacionet e zgjeruara në Gaza do të përfshijnë zhvendosjen e “shumicës” së banorëve të saj. Kabineti izraelit i sigurisë miratoi një plan që sipas një zyrtari përcakton “pushtimin e Rripit të Gazës dhe mbajtjen e territoreve”.
Eshtë e papranueshme, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot në një intervistë në radio, duke shtuar se qeveria izraelite është në shkelje të ligjit humanitar.
Vendimi i Izraelit vjen ndërsa Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare kanë paralajmëruar vazhdimisht për një katastrofë humanitare në terren, me rrezikun e urisë që rikthehet pas më shumë se dy muajsh bllokadë totale izraelite.
Pothuajse të 2.4 milion banorët e Rripit të Gazës janë zhvendosur të paktën një herë gjatë luftës, e cila nisi pas sulmit të militantëve të Hamasit ndaj Izraelit, në tetor 2023, siç raporton AFP-ja.
Izraeli nuk humbi kohë dhe dje miratoi një plan për ta uzurpuar të gjithë Rripin e Gazës e për të qëndruar në territorin palestinez për një kohë të papërcaktuar, referuar dy zyrtarëve izraelitë.
Nëse zbatohet, ky plan do t’i zgjerojë jashtëzakonisht shumë operacionet e Izraelit në Gaza e me shumë gjasa do të përballet me kundërshtime të ashpra ndërkombëtare. Ministrat e kabinetit izraelit e miratuan në orët e para të 5 majit, disa orë pasi shefi i ushtrisë izraelite tha se forcat e armatosura po thërrasin dhjetëra mijëra ushtarë rezervistë.
Zyrtarët deklaruan se me këtë, Izraeli po synon t’i arrijë synimet e luftës për të mposhtur Hamasin, grupin e shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian, BE, si dhe për të liruar pengjet që mbahen në Gaza. Po ashtu, plani parashikon se qindra mijëra palestinezë duhet të zhvendosen në jug të Gazës, gjë që nënkupton se me gjasë, ata do të zhvendosen me forcë dhe se kriza e rëndë humanitare vetëm sa do të përkeqësohet.
Izraeli u tërhoq nga Gaza në vitin 2005 pas një pushimi disa dekadash dhe më pas i vendosi bllokadë territorit bashkë me Egjiptin.