Aktualitet

“Partizani”, sot GJKKO-ja duhet të vendosë nëse Berisha e Malltezi do të kalojnë për gjykim!

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, sot në orën 11:30 mbahet seanca paraprake për dosjen “Partizani”. Gjyqtarja Flojera Davidhi pritet të vendosë nëse do ta kalojë apo jo për gjykim dosjen për Sali Berishën, Jamarbër Malltezin, Fatmir Bektashin, Xhimi Begejan e Andia Pustinën.

Në seancën më të fundit, më 5 maj, Berisha nxori një dokument duke pretenduar se gjyqtarja e hetimit paraprak, Irena Gjoka ka qenë e dënuar më 2005-ën në Greqi për falsifikim dokumentesh të udhëtimit. Me këtë vendim, mbrojtja e ish-kryeministrit kërkoi në seancë paraprake revokimin e vendimit për pavlefshmëri të provave të marra nga Gjoka.

Sipas mbrojtjes së Berishës, nëse dokumenti për dënimin e Gjokës është i vërtetë, çdo vendimmarrje e gjyqtares së hetimit paraprak nuk ka patur legjitimitet. Më 13 maj, GJKKO-ja i rrëzoi kërkesën e dytë për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi lidhur me dosjen “Partizani”.

Berisha ndodhet në masë “Detyrim paraqitjeje” për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij Malltezi po hetohet në arrest shtëpie, për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.