Gjyqtarja e Posaçme, Elsa Ulliri do jetë kryesuesja e trupës gjykuese për dosjen “Partizani”, që tashmë ka kaluar për gjykim me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerë. Shorti u hodh sot në Gjykatën e Posaçme, GJKKO, ndërsa gjyqtarët Bib Ndreca e Rudina Palloj janë dy anëtarët që plotësojnë trupën gjykuese. Kjo treshe gjyqtarësh duhet që brenda 10 ditësh të përcaktojë datën e seancës së parë të gjyqit në themel.
Më herët gjatë ditës, ish-kryeministri Sali Berisha ishte në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim për paraqitje” dhe pyetjes së gazetarëve nëse do ta njohë trupën gjykuese, iu përgjigj:
Eshtë çështje e avokatëve, jo e imja. Siç e keni vënë re, unë dëgjoj avokatët.
Berisha është nën akuzë për korrupsion pasiv. Sipas SPAK-ut, “shfrytëzoi pushtetin që i jepte pozicioni i Kryeministrit për të pasuruar familjen, përmes dhëndrit”. Ndërkaq, Jamarbër Malltezi përballet me drejtësinë për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Me Berishën e Malltezin, të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i akuzuar për korrupsion aktiv e pastrim parash. Akuza e pastrimit të parave i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i Homeplan, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente operacionet financiare e ligjore të Homeplan-it. Në gjyq janë çuar edhe kompanitë Kontakt, Homeplan e Studio Pustina, për pastrim parash.
Po ashtu, SPAK-u ka vënë në sekuestro preventive pasuri që i përkasin Jamarbër e Argita Malltezit, sekuestro e konfirmuar deri në Gjykatë Kushtetuese, ku përfshihen dhjetëra apartamente, vila, troje dhe llogari bankare, të cilat do të qëndrojnë të sekuestruara deri në përfundim të gjykimit.
Një tjetër hetim vazhdon me fraksion të kësaj dosjeje për pasurinë e ish-kryeministrit dhe verifikime nëse familjarët kanë përfituar nga vendimet e tij, si me rastin marrjes së truallit të kompleksit Partizani dhe ndërtimin e 19 kullave nga dhëndri, përmes të cilave Malltezi përfitoi të paktën 5.4 milion euro.