Partneri i Jesy Nelson, Zion Foster, ka reaguar publikisht pasi këngëtarja ndau lajmin e dhimbshëm se vajzat e tyre binjake janë diagnostikuar me Atrofi Muskulare Spinale (SMA), një sëmundje e rëndë gjenetike që prek sistemin neuromuskular.
Përmes Instagram Stories, Zion publikoi një foto prekëse të vajzave të tyre, Ocean Jade dhe Story Monroe, të shtrira në një karrocë. Edhe pse me tuba oksigjeni në hundë, të voglat shfaqeshin duke buzëqeshur, duke përcjellë një forcë të jashtëzakonshme. Krahas imazhit, ai shkroi:
Ende buzëqeshin pavarësisht çdo sfide. Babai ju do pafund.
Më herët gjatë ditës, Jesy Nelson, 34 vjeçe, ishte shfaqur mes lotësh duke shpjeguar se sëmundja prek çdo muskul të trupit, përfshirë frymëmarrjen dhe gëlltitjen.
Ajo theksoi se, nëse nuk trajtohet në kohë, SMA mund të jetë fatale që në vitet e para të jetës.
Sipas këngëtares, mjekët e spitalit Great Ormond Street në Londër i kanë informuar se vajzat e saj ka shumë gjasa të mos ecin dhe të mos rifitojnë forcën e qafës, çka do të thotë se do të përballen me aftësi të kufizuara.
Megjithatë, ajo u shpreh se shpresa e vetme mbetet trajtimi i hershëm dhe besimi se vajzat e saj mund të sfidojnë parashikimet.
Jesy solli në jetë binjaket më 15 maj 2025, pas një shtatzënie shumë të vështirë. Vajzat lindën në javën e 31-të dhe kaluan një periudhë të gjatë në terapi intensive neonatale.
Shenjat e para shqetësuese u vunë re nga nëna e Jesy-t, e cila kishte vënë re se foshnjat nuk lëviznin siç duhet dhe kishin vështirësi në ushqyerje.
Pas muajsh kontrollesh dhe vizitash mjekësore, diagnoza përfundimtare ishte SMA Tip 1, forma më e rëndë e sëmundjes. Jesy tregoi se vajzat kanë marrë trajtimin e nevojshëm javët e fundit, duke theksuar se pa të, jeta e tyre do të ishte në rrezik serioz.
E prekur, këngëtarja pranoi se kjo ka qenë periudha më e dhimbshme e jetës së saj dhe se ndihet sikur po vajton jetën që kishte imagjinuar për familjen e saj.
Megjithatë, ajo mbylli mesazhin me shpresë, duke thënë se beson fort që vajzat e saj do të jenë një histori frymëzimi dhe se dëshiron të rrisë ndërgjegjësimin për diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.