Miliarderi Barry Diller, bashkëshorti i stilistes së njohur Diane von Furstenberg, ka bërë një rrëfim të rrallë për jetën e tij personale, duke pranuar hapur se ka pasur marrëdhënie me meshkuj dhe se identifikohet si homoseksual.
Në një ese për “New York Magazine”, të publikuar në prag të librit të tij me kujtime “Who Knew”, Diller rrëfen se pavarësisht se në jetën e tij kanë dominuar lidhjet me burra, gruaja që i ndryshoi gjithçka ishte Diane, të cilën e njohu në moshën 33-vjeçare.
Në jetën time ka pasur burra shumë të mirë, por ka qenë vetëm një grua — dhe ajo erdhi në jetën time kur isha 33 vjeç
– shkruan ai, duke shtuar se kurrë nuk ka dyshuar për orientimin e tij seksual, por kishte frikë nga paragjykimet.
Diller, sot 83 vjeç, kujton takimin me von Furstenberg në vitin 1974 si një moment që theu çdo parashikim.
Kur ndodhi romanca, thjesht mendova: kush do ta kishte menduar?
Ai shton se ndjenja që kishte për të ishte po aq e fuqishme dhe biologjike sa çdo lidhje tjetër e mëparshme.
Çifti u nda në vitin 1981, por u ribashkua një dekadë më vonë, duke kurorëzuar lidhjen e tyre me martesë në vitin 2001.
Edhe pse nuk kanë fëmijë së bashku, Diane ka dy fëmijë nga martesa me princin Egon von Furstenberg: Alexander (55 vjeç) dhe Tatiana (54 vjeçe).
Pas këtij rrëfimi, ende nuk dihet si do të ndikojë kjo deklaratë në marrëdhënien e çiftit, por sipas burimeve, nuk ka asnjë shenjë divorci në horizont.