Shkencëtarët kanë zbuluar lidhje të forta midis COVID-it të gjatë dhe një rreziku të shtuar për zhvillimin e demencës, sidomos tek të moshuarit.
Studime të fundit tregojnë se infeksioni nga koronavirusi mund të shkaktojë ndryshime strukturore dhe funksionale në tru, duke ndikuar në kujtesë, përqendrim dhe funksione ekzekutive.
Hulumtime nga Universiteti i Kentakit zbuluan se pacientët me simptoma të zgjatura të COVID-it shfaqin ndryshime të ngjashme në tru me ato që vërehen te pacientët me Alzheimer, si inflamacioni cerebral dhe aktivizimi i qelizave mbështetëse.
Këto ndryshime lidhen me simptoma si mjegullimi mendor dhe humbja e kujtesës.
Për më tepër, studiuesit kanë identifikuar dy biomarkerë të rinj të lidhur me dëmtimet kognitive te pacientët me COVID të gjatë: nivele të larta inflamacioni në tru dhe një aftësi e reduktuar për t’u përballur me stresin neurologjik.
Sipas ekspertëve, personat që kanë kaluar COVID-in me simptoma të zgjatura kanë deri në tre herë më shumë gjasa të përjetojnë dëmtime të funksioneve të trurit, krahasuar me ata që nuk janë infektuar.
Ky rrezik është veçanërisht i lartë tek të moshuarit dhe te ata që kanë humbur nuhatjen gjatë sëmundjes.
Zbulimet e reja nënvizojnë nevojën për monitorim të kujdesshëm të shëndetit mendor dhe kognitiv te pacientët që kanë kaluar COVID-in, me qëllim identifikimin dhe trajtimin e hershëm të dëmtimeve të mundshme neurologjike.